Presidenti i vendit Bujar Nishani ka dekretuar sot emërimin e Arben Ahmetajt si ministër Financash dhe Milva Ekonomin si ministre të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Dekretimet vijnë në kulmin e debatit politik, pasi mosdekretimi i tyre ka krijuar tension mes qeverisë dhe Nishanit.
Presidenti i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretim për rastin e dekreteve duke argumentuar se nuk mund të dekretonte emërimin e Ahmetajt dhe Ekonomit, për aq kohë sa Kuvendi nuk kishte votuar dekretet e tij për shkarkimin e Shkëlqim Canit nga Financat dhe Arben Ahmetajt nga Ekonomia.
Parlamenti nuk i futi të enjten në rend të ditës dekretet. Vendimi i presidentit për t’i çuar të ndarë dekretet dhe mosvotimi në parlament i dekreteve të shkarkimit të dy ministrave, solli një përplasje mes Presidencës dhe mazhorancës.





