TIRANE – Presidenti i vendit, Bujar Nishani ka dekretuar dy emra për Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP).
Me një dekret që mban datën e sotme, Nishani i propozon Kuvendit emrat e Zana Xhukës dhe zoti Shkëlqim Ganajt, si pasues të Adriatik Llallës, pas zgjedhjes së tij në postin e kryeprokurorit të Përgjithshëm.
“Në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës dhe nenit 11, pika 2, të ligjit nr. 9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar. Dekretoj: Zonja Zana Xhuka dhe zoti Shkëlqim Ganaj i propozohen Kuvendit të Shqipërisë për postin e Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive”,- thuhet në dekretin e firmosur nga Nishani.





