Presidenti i Republikës, Bujar Nishani  dje së bashku me homologun e tij Giorgio Napolitano vizituan ekspozitën “Thesaret e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare”, e çelur nën kujdesin e presidentit italian dhe kryeministrit të Shqipërisë në kompleksin “Vittoriano”, në kuadër të veprimtarive kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Presidenti Nishani e cilësoi ekspozitën e çelur në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në ndërtesën simbol të Pavarësisë së Italisë, Altare della Patria (Altari i Atdheut), dëshmi të miqësisë mes dy vendeve.

Të shoqëruar nga Drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Prof. Apollon Baçe, Presidenti Nishani dhe Presidenti Napolitano panë nga afër objektet e trashëgimisë kulturore shqiptare të ekspozuara sipas epokave historike, që datojnë nga periudha e Neolitit (viti 6000 para Krishtit deri në shekullin e 18-të pas Krishtit.

Dy Krerët e Shteteve u njohën me eksponatet e ekspozitës, ku veçojmë stolitë e periudhës së Neolitit, skulpturat e Antikitetit, si Koka e Apollonit e shkollës së Praksitelit, epitafin e Glavenicës dhe pikturat e Onufrit, si dhe peisazhet turistike të Shqipërisë të ekspozuara përmes fotografish dhe videosh.

Presidenti Napolitano, të cilit në fund të vizitës në ekspozitë iu dhurua katalogu i saj, u shpreh se vlerat e veçanta të pasurisë kulturore shqiptare janë vlera dhe pasuri jo vetëm të Shqipërisë, por vlera dhe pasuri ndërkombëtare.