Tiranë, 7 shtator 2014 – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim të posaçëm Guvernatoren në detyrë të Bankës së Shqipërisë, zonjën Elisabeta Gjoni. Takimi u krye pa praninë e kamerave. Zyra e shtypit e presidentit tha se kreu i shtetit i ka vënë në dukje zonjës Gjoni rëndësinë e detyrës së re si dhe e ka garantuar mbështetjen institucionale për përmbushjen me rigorozitet të të gjitha përgjegjësive.
Po ashtu, z.Nishani shprehu bindjen se në bashkëpunim me Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe të tjerave institucione financiare të vendit dhe ndërkombëtare, do të përballohet situata e krijuar dhe nuk do preket kurrsesi stabiliteti financiar i Bankës së Shqipërisë dhe i vendit në përgjithësi.
Gjatë bisedës me Guvernatoren në detyrë, mes tjerash, Presidenti Bujar Nishani vuri theksin gjithashtu mbi seriozitetin, përgjegjësinë, zbatimin e standardeve të larta profesionale, dhe pavarësinë institucionale, si kushte themelore për një besim të qëndrueshëm të qytetarëve ndaj stabilitetit financiar të garantuar dhe zhvillimit ekonomik normal të vendit.
Ndërkohë, edhe kryeministri Rama është takuar me të ngarkuarën mbrëmë prej Këshillit Mbikëqyrës, si guvernatore në detyrë, zonjën Elisabeta Gjoni. Zyra e shtypit të Ramës tha se kryeministri e takoi Gjonin, “për t'i shprehur qëndrimin e qeverisë e të shumicës qeverisëse në mbështetje të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë dhe të ekipit të teknicienëve të institucionit, respekti për profesionalizmin e mirënjohur të të cilëve mbetet i palëkundur”.
Kryeministri ka shprehur po ashtu, besimin e tij të plotë se Banka e Shqipërisë do të dalë më e fortë, më e sigurt dhe më transparente nga ky proces i vështirë, por i shëndetshëm ndryshimi, në një kohë kur sistemi bankar në tërësi është solid e në rritje të ndjeshme.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





