TIRANE – Miratimi sa më parë i ligjit të lustracionit, përshpejtimi i procesit të dëmshpërblimit, heqja e titujve të nderit të dhënë nga regjimi diktatorial, trajtimi më me dashamirësi dhe seriozitet nga institucionet shtetërore për punësimin e të përndjekurve politikë dhe familjarëve të tyre si dhe kthimi apo kompensimi i pronës me përparësi për këtë kategori kane qenë çështjet kryesore të diskutuara në takimin e sotëm mes presidentit Nishani dhe përfaqësuesve të të përndjekurve politikë.

Sipas faqes zyrtare të Presidencës, një prej çështjeve të diskutuara ishte dhe ngritja e një muzeu në Tiranë kushtuar qëndresës ndaj diktaturës, rigjenerimi atje ku është e mundur i burgjeve dhe kampeve të internimit, në mënyrë që ato të mbeten dëshmi kujtese e të kaluarës së hidhur.

“Presidenti Nishani vlerësoi kontributin e të përndjekurve politikë për vendin dhe u shpreh i gatshëm për të pritur dhe dëgjuar zërin e tyre sa herë që të paraqitet nevoja, duke theksuar se dëshiron që kjo pjesë e shoqërisë sonë të jetë më aktive në jetën e vendit”,- theksohet në njoftim.

Sipas tij, duke nënvizuar se sa më të bashkuar të jenë të përndjekurit me njëri-tjetrin aq më i fortë bëhet zëri i tyre në shoqëri, Kreu i Shtetit ofroi gatishmërinë dhe vullnetin institucional për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve të ngritura nga të përndjekurit politikë, duke nxitur institucionet e shtetit dhe shoqërinë civile.

Presidenti Nishani mirëpriti idenë për kryerjen e veprimtarive, të cilat do të ndihmonin për të mbajtur gjallë kujtesën e qëndresës anti-diktatoriale.