TIRANË, 5 korrik 2013 – Presidenti Bujar Nishani konstatoi sot se janë bërë sulme të pabaza ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë. 

Kreu i shtetit në cilësinë e kreut të KLD mblodhi sot në një mbledhje anëtarët ku do diskutohej rregullorja e brendshme e këtij Këshilli. 

Nishani në fjalën e tij vlerësoi punën e deritanishme të KLD dhe theksoi se ky institucion funksionon vetëm mbi bazën e ligjit e Kushtetutës.

“KLD është institucion i lartë kushtetues, i pavarur që mbështet tërë veprimtarine e tij te Kushtetuta, ligji dhe personaliteti i anëtareve të tij, dominohet nga gjyqatarët e Shqipërisë. KLD funksionimin e tij nuk e lidh me mazhorancat politike “- tha Nishani.

Më tej, Nishani tha se ky Këshill ka sjellë një model të ri të vlerësimit të gjyqtarëve sipas meritës.

KLD, tha Nishani, ka marrë vendime të rëndësishme dhe do të vijojë të qëndrojë në këtë lartësi.

 “Ky këshill për herë të parë solli një model të promovimeve të gjyqtarëve jo të bazuar tek shantazhet politike dhe modelit të miqve dhe shokëve, por mbi bazën e vlerësimit. Ju ftoj të qëndroni në këtë pozicion. Dua t’ju inkurajoj për të vazhduar punën në respekt të ekzistencës dhe funksionimit të institucioneve të pavarura, duke ofrouar atë cfarë ju mbartni si personalitete të fushës dhe përgjegjësisë që keni ndaj opinionit për të vendosur standarde që do jenë të pakthyeshme në kohët që do të vinë në të ardhmen. Jam i bindur se duke qenë të hapur, transparent në të gjithë veprimtarinë tuaj ndaj opinionit dhe trupës së gjyqatërev do t’i bëni nder opinionit dhe vetë gjyqtarëve”- tha me tej Nishani.