TIRANË- Kryeprokurori Adriatik Llalla ka zhvilluar sot mbledhjen e parë me prokurorët në rrethe, para të cilëve ka treguar sfidat që e presin organin e akuzës. Duke iu kërkuar bashkëpunim prokurorëve në rrethe, Llalla ka nënvizuar se ata sot nuk i pengon asgjë për të hetuar. “Ligjvënësit kanë kufizuar imunitetin e zyrtarëve, prandaj them që Prokurorinë nuk e pengon asgjë për të hetuar zyrtarët”, tha ai. 

Ndër të tjera kryeprokurori u shpreh se “Do nxis një faktor koordinues në Prokurori, duke kërkuar edhe llogaridhënie për mos kryerjen në kohë të hetimeve”. 

Sipas Llallës detyrimi i cdo prokurori sot është të fitojë besimin e qytetarit por edhe të gjithë partnerëve dhe vendeve mike që shpresojnë të shikojnë më shume rezultarte. 
“Kërkoj bashkëpunimin tuaj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit duke arritur standardet e kërkuar nga BE”, shtoi Llalla. 

NISHANI: PROKURORËT T’I SHKOJNË ÇËSHTJES DERI NË FUND 

Gjatë kësaj mbledhje ka qënë i pranishëm edhe Presidenti i Republikës i cili ka kërkuar rezultate të prekshme në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit prej cdo prokurori. Kjo është sfida sipas tij, arritja e rezultateve sipas standardeve të kërkuara. 

“Mënyra e përmbushjes së detyrës nga cdo prokuror, ka shumë rëndësi. Duhen rezultate të larta në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, trafiqeve. Kjo situatë e funksionimit të organit të akuzës nuk është pozitive, por kjo nuk do të thotë nënvlerësim për punën e bërë por një sfidë shumë e madhe për secilin prej jush, duke nisur nga nga Prokurori i Përgjithshëm”, tha Nishani. 

“Qendroni larg qasjes politike, e individëve kriminale”, ka qenë ky mesazhi kryesor i Presidentit Bujar Nishani për prokurorët, ndërsa ka nënvizuar se nuk duhet të tremben nga presionet, pasi sic tha ai, "para ligjit nuk është askush".

Sipas tij, puna e prokurorit përvecëse e vështirë është edhe privilegj. Nishani kërkoi që tek cdo prokuror të zgjohet ndërgjegjia për të dhënë më shumë kontribut në hetim. 
"Keni një përgjegjësi të madhe civile. Prandaj në këto momente dëshiroj të them se keni një kontribut të domosdoshëm për shtetin, shoqërinë dhe të ardhmen e përbashkët. Prokurorët duhet të jenë të gatshëm edhe për sakrifica, ashtu sic institucionet e këtij vendi kanë detyrime ndaj jush për t’ju krijuar kushtet e nevojshme për hetim. Prokurorët nuk duhet të bëhen pre e presioneve dhe të fshehin provat e hetimit, përkundrazi duhet të përfshihen vetë në hetim jo ta monitorojnë nga larg, sot nuk është koha e komoditetit, por e përgjegjësisë dhe kontributit. Unë mendoj që ju keni ndërgjegje dhe do zgjoheni për të dhënë kontributin tuaj”, tha Nishani. 

Nishani nënvizoi se, “Disa prokurorë kanë ngarkesë të pabarabartë me disa të tjerë, kjo ndikon tek cilësia e hetimit. Vonesa në hetim që në prokurori reflektohet edhe tek shkallët e tjera, tek gjykatat”, tha ai duke bërë apel që prokurorët të mos fshehin provat e hetimit. 

“Provat për një nëpunës të korruptuar nuk duhet të fshihen rrugës, kur shkojnë në gjykatë humbasin rrugës, nuk paraqiten, ose bëhen të dobëta”, kjo nuk duhet të ndodhë tha ai. 

Kreu i shtetit ndër të tjera kërkoi para prokurorëve të mos tolerojnë rastet e dhunës ndaj grave. 
“Duhet ti bëjmë të qartë opinionit dhe shoqërisë se dhunën ndaj grave e konsiderojmë një akt të rëndë kriminal dhe të patolerueshëm. Kjo varet nga mënyra se si do ushtrohet ndjekja e rasteve të tilla. Këshilloj tolerancë zero ndaj dhunuesve të grave”, tha Nishani.