TIRANË, 21 mars 2013 – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi ish-Ministres së Kulturës, Esmeralda Uruçi (Pas vdekjes) “Medaljen e Mirënjohjes” me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në formimin arsimor, kulturor e pedagogjik të brezave të rinj si dhe për veprimtarinë e saj publicistike duke promovuar risi dhe vlera në fushën e kërkimit shkencor”.
Në ceremoninë e dekorimit, që përkoi me njëvjetorin e vdekjes së Esmeralda Uruçit, ishin të pranishëm pjesëtarë të familjes Uruçi, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi; Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës.
Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë, Presidenti Nishani vlerësoi kontributin e Esmeralda Uruçit si shtetare dhe si personalitet në fushën e arsimit. “Jam i bindur që ne sot, por edhe të gjithë ata që kanë pasur shansin ta njohin dhe të punojnë së bashku me Esmeraldën kanë mundësinë që të nderojnë kontributin e një shtetareje, e cila diti jo vetëm të ofrojë figurën e një personaliteti shtetëror, të ofrojë kontributin për një nga fushat e rëndësishme të vendit, të jetës politike, të jetës institucionale në vend”, u shpreh Nishani.
Kreu i Shtetit tha se “është momenti të vlerësojmë kontributin publik, social dhe shoqëror të një gruaje kurajoze, e cila gjithmonë u udhëhoq nga interesi publik. Unë e shfrytëzoj këtë moment të veçantë për të ofruar të gjithë respektin institucional dhe nderimin personal ndaj këtij kontributi”.
Pas leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, Arben Idrizi, bashkëshorti i Esmeralda Uruçit, Dashamir Uruçi në emër të familjes e falënderoi Presidentin Nishani për akordimin e “Medaljes së Mirënjohjes”.





