TURQI, 11 prill 2013 – Në mbyllje të sesionit të 16-të të Samitit Euroaziatik për Ekonominë, që u mbajt në Stamboll, nga datat 9-11 prill 2013, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani apeloi për më shumë bashkëpunim mes vendeve për t’i bërë ballë fenomeneve që kërcënojnë sigurinë globale, të cilat janë krimi i organizuar, varfëria, terrorizmi, prodhimi i armëve të shkatërrimit në masë.
Në sesionin kushtuar Presidentëve, pjesëmarrës në këtë samit, Kreu i Shtetit shqiptar e vuri theksin tek rëndësia dhe përgjegjësia që ka çdo vend në përballimin e sfidave të përbashkëta globale.
“Siguria, zhvillimi dhe të drejtat e njeriut janë të ndërlidhura. Veçanërisht bëhet më i rëndësishëm multi-lateralizmi përballë kërcënimeve globale si: terrorizmi dhe armët e shkatërrimit në masë. Përballë rreziqeve asimetrike me efekte globale, edhe shtete shumë të fuqishme ndjehen të paimunizuara dhe madje të cënueshme. Një situatë e tillë ka sjellë vendosjen e bashkëpunimit ndërmjet vendeve, që dikur nuk mund të imagjinohej dhe ka rritur peshën relative të rëndësisë dhe përgjegjësisë për çdo vend, pavarësisht madhësisë së tij”,- tha Nishani në samit.





