Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nëpërmjet një mesazhi u shpreh keqardhjen e thellë dhe ngushëllimet e sinqerta familjarëve, të afërmve dhe bashkëpunëtorëve, për ndarjen nga jeta të drejtorit të Institutit të Statistikave, Gjergj Filipi.
Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi punën dhe jetën e “Doktorit të Shkencave” Gjergj Filipit duke theksuar:
“Më lejoni që në këtë ditë tepër të trishtueshme, në këtë humbje të madhe jo vetëm për ju, por edhe për institucionin e rëndësishëm që drejtonte, për kolegët dhe miqtë e panumërt, t’ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta e t’ju gjendem shpirtërisht në këtë çast dhimbjeje të thellë për humbjen e njeriut tuaj të dashur, të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm!
Puna e tij e palodhur, kontributi i rëndësishëm në fushën akademike, arritjet e tij shkencore, të cilat kapërcyen kufijtë e Shqipërisë, konsulenca e vyer në një sërë projektesh ndërkombëtare do të mbeten të pashlyeshme në kujtesën e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin Gjergjin, edhe nga ana e tij humane, si dhe të provojnë profesionalizmin dhe përkushtimin e tij të devotshëm, sidomos në çështjet e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian”.