TIRANE, 07 mars 2013-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani shpreh hidhërimin e thellë për ndarjen nga jeta të artistit dhe aktorit të shquar Roland Trebicka përmes një mesazhi ngushëllimi drejtuar familjarëve të të ndjerit, në të cilin shkruhet:
“Sikur aktori Roland Trebicka të ishte njeri i zakonshëm fjalët e ngushëllimit për ndarjen e tij nga jeta do të ishin më të lehta për t’u zgjedhur e për t’u shprehur.
Është rrugëtimi i mundimshëm drejt artit, është jeta dhe vetë personaliteti i artistit të shquar që na bën të mendohemi shumë e të zgjedhim fjalën më të ngrohtë e të denjë për të shprehur dhimbjen dhe respektin e merituar që ia kemi borxh, sepse ajo çka la pas me artin e tij është një shërbim i madh që i bën vendit.
Jam i sigurt se familja e tij; bashkëshortja, fëmijët, të afërmit e ndjejnë shumë dhimbjen, por po aq jam i bindur se kjo dhimbje përkthehet në respekt dhe mirënjohje të madhe nga çdo shqiptar që ka pasur dhe do të ketë fatin të ndjekë Rolandin në rolet e tij të mrekullueshme. Jeta e tij e shkurtër është pragu i fillimit të një pavdekësie, të cilin ai e ka merituar dhe ne jemi krenarë për kontributin e tij ndaj artit dhe kulturës shqiptare”, përfundon mesazhi i ngushëllimit i Presidentit Nishani.