Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nis sot konsultimet me përfaqësues të partive parlamentare për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë. Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, kreu i shtetit do të zhvillojë përgjatë ditës së sotme takime të veçanta konsultuese me përfaqësues të partive parlamentare, duke nisur fillimisht me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi (ora 10:00); për të vijuar me kryetarin e grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi (ora 11:00).
Në mesditë (ora 12:00), axhenda e takimeve do të vijojë me kryetarin e grupit të LSI-së, Lefter Koka, më pas me kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu (ora 13:00), me kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule (ora 14:00) dhe për t'u mbyllur me kryetarin e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi (ora 15:00). Kodi zgjedhor parashikon dy periudha për zhvillimin e zgjedhjeve, në mars-qershor dhe në shtator-nëntor.
Sipas nenit 8 të ligjit zgjedhor: "Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor". Ndërsa në pikën 1, neni 9 të kodit thuhet se "data e zgjedhjeve për Kuvendin caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës, sipas rregullave të parashikuara në nenin 65 të Kushtetutës.
Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen në një nga dy të dielat e fundit, brenda periudhës zgjedhore të përcaktuar në nenin 8 të këtij Kodi dhe në çdo rast jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të Kuvendit". Legjislatura aktuale e Kuvendit ka nisur më 6 shtator dhe 6 shtatori 2013 shënon mbarimin e mandatit të parlamentit. Sipas Kodit zgjedhor, Presidenti i Republikës duhet të caktojë datën e zgjedhjeve brenda 6 dhjetorit.
Takimet e presidentit
Ora 10.00 – Takim me kreun e grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi
Ora 11.00 – Takim me kreun e grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi
Ora 12.00 – Takim me kreun e grupit parlamentar të LSI, Lefter Koka
Ora 13.00 – Takim me kryetarin e PR, Fatmir Mediu
Ora 14.00 – Takim me kryetarin e PBDNJ, Vangjel Dule
Ora 15.00 – Takim me kryetarin e PDIU, Shpëtim Idrizi





