Tiranë, 25 gusht 2014 – Presidenti Bujar Nishani mbajti fjalën e rastit në Forumin Europian Alpbach 2014, që po mbahet në Austri. Nishani mori pjes¸ si foles kryesor ne panelin “Nga pajtimi ne integrim; Kontributi i rinisë për një të ardhme të përbashkët”.
Kreu i shtetit e vuri theksin tek integrimi i gjithë rajonit. Sipas tij vendet e Ballkanit Perëndimor janë “pasagjerë” të të njëjtit tren, që ka për stacion final Bashkimin Evropian.
Nishani tha se tashmë këto vende të vogla e kanë kuptuar se dialogu është e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve, duke e bërë sipas tij, “rajonin tonë dikur “ngatërrestar” dhe i etiketuar me epitete negative në “rajonin e mundësive të mëdha”, falë përpjekjeve tona për të mbyllur faqen historike të mërive dhe për të hapur faqen e pajtimit dhe bashkëpunimit”.
Ndërsa duke u ndalur tek Shqipëria, Presidenti tha se për të sfida më e madhe mbetet ndryshimi i mentalitetit. Sipas kreut të shtetit mungesa e tolerancës dhe konsensusit, por edhe qëndrimet e dyfishta të një opozite që kërkon standarde të larta demokratike dhe të një pozite autoritare, është shfaqje e një mentaliteti të shkuar.
“Ndryshimi i mentalitetit është sfida më e vështirë e shoqërisë shqiptare dhe e shoqërive pastotalitare në përgjithësi. Mungesa e tolerancës dhe konsensusit dhe qëndrimi i dyfishtë me kërkesa për standarde të larta demokratike në opozitë dhe qëndrimet autoritare në pozitë, qëndrimi në pritje në vend të marrjes së nismave janë shfaqje e mentalitetit të shkuar, të cilat ngadalësojnë procesin e zhvillimit të demokracisë dhe të reformave”, tha Nishani.
FJALA E PLOTE
Alpbach, Austri
25 gusht 2014
Në ditën e dytë të qëndrimit në Austri, në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Europian Alpbach 2014, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mori pjesë si folës kryesor në panelin “Nga pajtimi në integrim; Kontributi i rinisë për një të ardhme të përbashkët”.
Më poshtë është fjala e Presidentit Nishani në këtë panel:
“I nderuar Presidenti Fischer,
E nderuar Presidentja Jahjaga,
I nderuar Dr. Franz Fischler,
Të dashur të reja dhe të rinj,
Zonja dhe zotërinj,
Më lejoni që, fillimisht, të shpreh kënaqësinë time dhe të delegacionit shqiptar që jemi këtu, në Alpbach, në këtë qytet të vogël kaq të bukur, me një natyrë magjepsëse!
Gjej rastin të falënderoj Presidentin Fischer dhe Dr. Franz Fischler për ftesën e këndshme dhe të shpreh vlerësimin tim të lartë për organizimin e shkëlqyer të këtij Forumi.
Ky Forum, organizuar nën kujdesin e Presidentit Fischer, është një shprehje tjetër e vëmendjes dhe interesimit të vazhdueshëm që Austria i ka kushtuar rajonit tonë.
Austria është historikisht një aktor i rëndësishëm shumë aktiv në rajon. E angazhuar në mënyrë konstante, politikisht, ekonomikisht, nga ana sociale dhe kulturore, Austria i ka kontribuar me qasjen e saj të kujdesshme, realiste dhe të balancuar stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.
Edhe pse një anëtar relativisht i vonshëm i Bashkimit Evropian, Austria u shndërrua shpejt në një zëdhënëse të politikës së zgjerimit evropian dhe një avokat të integrimit evropian të Ballkanit.
Investimet dhe asistenca austriake janë të pranishme në të gjithë vendet tona, duke lehtësuar reformat dhe zhvillimin ekonomik.
Për vite me radhë, Austria vazhdon të renditet ndër tre vendet e para për investime direkte në Shqipëri.
Investimet austriake shtrihen në fusha të ndryshme, nga: banka, hidrocentrale, prodhim turbinash, miniera, industri përpunuese, studio ligjore, hoteleri, etj dhe janë një faktor i rëndësishëm i zhvillimit të vendit.
Për këtë dhe të gjithë mbështetjen e dhënë në procesin e transformimit politik dhe ekonomiko-social, ne i jemi mirënjohës Austrisë, mikut tonë historik.
Zonja dhe zotërinj,
Jemi mbledhur në një moment shumë të rëndësishëm për të tashmen dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, Bashkimit Evropian dhe marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Anëtarësimi më i afërt i fqinjit tonë Kroacisë, hapja e negociatave me Serbinë, marrja e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria dhe Procesi i Stabilizim-Asociimit me Kosovën hedhin poshtë teorinë e “lodhjes nga zgjerimi” të Bashkimit Evropian dhe përforcojnë bindjen se merita, bazuar në përmbushjen e standardeve, është kriteri me anë të cilit vlerësohen arritjet dhe “shpërblehet” afrimi institucional i çdonjërit dhe secilit prej vendeve tona me Bashkimin Evropian.
Sot, të gjithë ne që jetojmë në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë, në Evropën Juglindore, qëndrojmë të bashkuar drejt një objektivi të përbashkët – një të ardhmeje më të mirë dhe një jete më të begatë, për ne dhe për fëmijët tanë. Vendet tona të Ballkanit Perëndimor janë “pasagjerë” të të njëjtit tren, që ka për stacion final Bashkimi Evropian.
Gjeografia e Ballkanit Perëndimor përbëhet nga vende të vogla ku jetojnë së bashku kombe dhe fe të ndryshme. Ne ballafaqohemi me sfidat e njohjes dhe të bashkëjetesës me njëri-tjetrin.
E drejta legjitime e të rinjve në rajonin tonë, ashtu si dhe e qindra milionë të rinjve në mbarë botën, duhet të jetë, gjithashtu, shqetësimi dhe qëllimi ynë parësor. Ata synojnë të bëhen të aftë për të jetuar me dinjitet në një rajon dhe një botë në paqe, harmoni e prosperitet. Ata kanë plotësisht të drejtë të na e kërkojnë këtë, madje me zë të lartë. Por, edhe vetë mund të kontribuojnë për këtë të ardhme.
Të dashur miq,
Të gjitha vendet tona të Evropës Juglindore, të dala para dy dekada e gjysmë nga sistemi komunist, janë ndeshur me sfida të njëjta: konsolidimi i demokracisë funksionale dhe ndërtimi i shtetit ligjor, kalimi nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e tregut të lirë konkurrues, si të inkurajojnë rritjen ekonomike, si të ulin nivelin e papunësisë dhe të ndalojnë “rrjedhjen e trurit”, si të tërheqin investitorët e huaj, të rrisin konkurrencën, etj.
Kriza ekonomike ka goditur rëndë edhe vendet e rajonit tonë. Dalja prej saj është e ngadaltë. Ndërkohë, rajone dhe vende të tjera po njohin rritje më të shpejtë ekonomike.
Një nga arsyet për rritjen më të shpejtë ekonomike dhe konkurrencën më të madhe është bashkëpunimi më i ngushtë dhe cilësor ndërmjet vendeve në këto rajone.
Vendet tona janë të vogla. Por, kur ata bëhen bashkë, ne jemi një treg tërheqës. Duke bashkuar potencialet dhe përpjekjet tona do të mund të zgjidhim problemet më lehtë dhe në mënyrë më efikase.
Objektivat tona janë plotësisht të arritshëm, por nuk janë ende shumë afër. Megjithatë, më duhet të them se Ballkani Perëndimor ka pësuar transformime si në pak rajone të tjera brenda më pak se një gjenerate. Ranë diktaturat, lindën demokracitë e reja dhe ekonomitë e centralizuara ia lanë vendin tregut të lirë.
Rajoni ynë, dikur “ngatërrestar”, i etiketuar me epitete negative, po shndërrohet në “rajonin e mundësive të mëdha”, falë përpjekjeve tona për të mbyllur faqen historike të mërive dhe për të hapur faqen e pajtimit dhe bashkëpunimit. Ne kemi hedhur vështrimin drejt së ardhmes në paqe e stabilitet, me synim të kthjellët, integrimin në familjen euroatlantike. Po përdorim dialogun si mjet për zgjidhjen e problemeve dhe po rritet mirëbesimi te njëri-tjetri.
Ne po ecim përpara në këtë pjesë të Evropës nëpërmjet reformave transformuese brenda vendeve tona dhe rritjes së bashkëpunimit rajonal, nëpërmjet forcimit të lidhjeve tregtare dhe duke negociuar marrëveshje ambicioze, që rrisin bashkëpunimin në fushën e energjisë, transportit, sigurisë, mbrojtjes, arsimit, shkencës, mjedisit turizmit, duke modernizuar aleancat dhe partneritetet tona nëpërmjet pjesëmarrjes së plotë në nismat dhe institucionet rajonale.
Marrëveshja Kosovë-Serbi, nënshkruar nga Kryeministrat Thaçi dhe Daçiç në Bruksel, më 19 prill 2013, me lehtësimin e Baroneshës Ashton, ka shërbyer shumë për paqësimin e rajonit, ndërsa zbatimi i saj, me gjithë vështirësitë që has, ka filluar të japë rezultate në terren. Kjo marrëveshje ka ngjallur, me të drejtë, shpresat se edhe çështje të tjera, të mbetura pezull në rajon, do të marrin zgjidhje nëpërmjet bisedimeve.
Procesi i Brdo-Brijunit, me formatin tetë plus një, në nivel të Kryetarëve të Shteteve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, plus Slloveni, Kroaci dhe Bashkimi Evropian, po provohet një nismë efikase në mbështetjen e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian të vendeve tona. Në takimin e fundit në Dubrovnik, në mesin e muajit korrik 2014, ku mori pjesë edhe Kancelarja gjermane Merkel u rikonfirmua politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian drejt rajonit dhe u sigurua mbështetja për projektet e infrastrukturës dhe energjisë, si IAP-TAP, Autostrada Adriatiko-Joniane, etj.
Projekti TAP shënon jo vetëm një fazë të re për sigurinë dhe stabilitetin energjetik të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, por, pas zhvillimeve në Ukrainë, është shndërruar, gjithashtu, në domosdoshmëri si pasojë e nevojës urgjente për shumëllojshmërinë e burimeve dhe transportit të naftës dhe gazit. Vendet tona po punojnë së bashku me fqinjët në rajon dhe në Bashkimin Evropian për implementimin e Projektit të Korridorit Adriatiko-Jonian. Ky projekt do të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit, lidhjen e tij me Bashkimin Evropian dhe daljen e tij në tregje të tjera.
Vendi im do të vazhdojë të luajë një rol aktiv, moderator dhe konstruktiv në rajon, duke e konsideruar bashkëpunimin rajonal si parakusht të integrimit evropian.
Republika e Shqipërisë sapo ka marrë kryesimin e radhës të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), duke e konsideruar një përgjegjësi të madhe, por edhe një mundësi të shkëlqyer për të kontribuar në shtyrjen përpara të bashkëpunimit rajonal.
Ne jemi të fokusuar te forcimi i bashkëpunimit me institucionet e BE-së për të mbështetur perspektivën evropiane të vendeve anëtare të SEECP-it, që ende nuk janë anëtare të BE-së, në sfidat, kërkesat dhe pritshmëritë e përbashkëta të rajonit tonë.
Prioritetet e Kryesimit shqiptar të SEECP-së, fokusuar në tre shtylla, si: forcimi i rolit rajonal të SEECP-së, promovimi i dialogut ndërmjet vendeve anëtare për përmirësimin e funksionimit të SEECP-së dhe konsolidimi i rëndësisë sektoriale të SEECP-së ruajnë vazhdimësinë dhe perspektivën e organizatës dhe mishërojnë qasjen tonë rajonale. Ndërsa, realizimi i tyre do të bëhet nëpërmjet një kalendari ambicioz të aktiviteteve të hartuar nga Ministria e Jashtme.
Të dashur të rinj dhe të reja,
Ne duhet t`ju lemë një botë sa më të mirë për të jetuar, por duhet, gjithashtu, të krijojmë mundësitë që ju të përgatiteni për të ardhmen.
Strategjia jonë në rajon nuk duhet dhe nuk është vetëm për sigurinë dhe tregtinë. Ajo ka të bëjë më shumë me ndërtimin e lidhjeve ndërmjet popujve në rajon dhe popujve të Bashkimit Evropian.
Edukimi mbetet gur themeli në suksesin tonë. Paqja, toleranca, mirëkuptimi, duhet të hyjnë së pari, në mendjet dhe shpirtrat e njerëzve. Shkolla është laboratori që ju formëson ju, si protagonistë të së ardhmes, të aftë për sfidat e kohës. Shkarkimi nga tekstet i informacionit jo-objektiv dhe të papërshtatshëm, që mbjell mosbesim, deri urrejtje për të tjerët dhe pasurimi i kurikulave me dije të vërteta dhe civile duhet të jenë nga qëllimet parësore të institucioneve tona të arsimit.
Ndër të tjera, zbatimi i sistemeve të arsimit të integruar, si një nga vlerat evropiane bazë, do t`i kontribuonte komunikimit dhe kohezionit ndërmjet grupeve tuaja shumetnike në ndihmë të ndërtimit të shteteve civile dhe të ardhmes tuaj të përbashkët.
Media profesionale dhe e paanshme, së bashku me rrjetet masive të komunikimit, janë infrastruktura që përcjellin informacionin shpejt dhe kudo, përtej kufijve gjeografikë. Roli i tyre përcakton në një masë të madhe formimin e opinionit dhe sjelljen e publikut ndaj fenomeneve dhe çështjeve nga më delikatet për ju, shoqëritë, qeveritë dhe vendet e ndryshme.
Shoqëria civile mund dhe duhet ta thotë gjithmonë e më shumë fjalën e saj. Ndërsa shkëmbimet kulturore, shkencore dhe studentore të të gjitha niveleve, gjithmonë e më shumë i shërbejnë thellimit të njohjes dhe shkëmbimit të eksperiencave. Ju, dhe jo vetëm ju, kuptoni se pavarësisht dallimeve racore kulturore dhe fetare, të gjithë keni dëshirën dhe të drejtën të jetoni në paqe dhe harmoni, e të ndërtoni një të ardhme më të mirë. Për më tepër, bashkëjetesa dhe pranimi i tjetrit ndryshe janë jo vetëm mundësi, por domosdoshmëri. Shumëllojshmëria është pasuri e vyer, e cila e bën rajonin tonë dhe njerëzimin në tërësi, më të pasur dhe më të begatë. Mosnjohja, stereotipat dhe paragjykimet në mendim, që burojnë prej saj janë faktorë që ushqejnë keqkuptime dhe shpien në konflikte.
Ne, udhëheqësit politikë kemi, së pari, barrën e përgjegjësisë për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve dhe kapërcimin e pengesave. Ne këtë duhet ta bëjmë duke ndërmarrë nismat e duhura, në vend që të presim që dikush tjetër t`i zgjidhë problemet tona.
Megjithatë, jeni ju vetë që do t`i jepni formë përparimit dhe të ardhmes së rajonit. Ju do të përcaktoni “konturet” e rajonit dhe të Evropës së këtij shekulli.
Nismat dhe rrjetet tuaja rinore, rajonale dhe më gjerë ndihmojnë, gjithashtu, në përfshirjen e udhëheqësve të rinj në sfidat kyçe rajonale dhe globale dhe forcimin e lidhjeve njerëzore ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, të Evropës Juglindore dhe më gjerë.
Institucionet dhe nismat tuaja rinore i shoh si një investim të rëndësishëm te gjenerata e ardhshme e udhëheqjes në Evropën Juglindore. Ndërsa ne, politikanët duhet t`i mbështesim këto nisma moralisht dhe materialisht, sepse kështu investojmë për të ardhmen tuaj.
Të nderuar të pranishëm,
Ndryshimi i mentalitetit është sfida më e vështirë e shoqërisë shqiptare dhe e shoqërive pastotalitare në përgjithësi. Mungesa e tolerancës dhe konsensusit dhe qëndrimi i dyfishtë me kërkesa për standarde të larta demokratike në opozitë dhe qëndrimet autoritare në pozitë, qëndrimi në pritje në vend të marrjes së nismave janë shfaqje e mentalitetit të shkuar, të cilat ngadalësojnë procesin e zhvillimit të demokracisë dhe të reformave.
Shqipëria, që nga hapja e saj, ka vuajtur shumë “hemorragjinë e trurit”. Jemi përpjekur ta balancojmë nëpërmjet zbatimit të Programit “Brain Gain” që ka synuar në rikthimin e trurit në vend dhe “Fondit të Ekselencës” që synon përgatitjen e të rinjve në universitetet më të mira perëndimore.
Format e mësipërme të stimuluara të thithjes së trurit dhe kthimi i të rinjve të arsimuar në Perëndim për shkak të ndryshimit, sjellin me vete jo vetëm eksperiencën e përparuar të fituar, por mbi të gjitha, një impakt në ndryshimin e mentalitetit. Ata sjellin me vete, gjithashtu, edhe një mentalitet të çliruar nga paragjykimet dhe stereotipat.
Së fundi, mund të them se ne, Presidentët, Kryeministrat, të gjithë politikanët punojmë për të hedhur themelet e së ardhmes, ndërsa u takon të rinjve ta marrin në dorë atë, të çojnë përpara zhvillimin e vendeve përkatëse, të forcojnë bashkëpunimin rajonal dhe të avancojnë integrimin evropian.
Ju faleminderit!”
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





