Presidenti i Republikës, Bujar Nishani iu drejtua sot me një mesazh ngushëllimi homologut të tij italian, Sergio Mattarella për humbjen e jetëve njerëzore, si dhe dëmet e mëdha materiale të shkaktuara nga tërmeti i fuqishëm që goditi sot disa qytete të Italisë qendrore.
Me shpresën se nën rrënoja nuk do të ketë më viktima, Nishani u uron të lënduarve shërim sa më të shpejtë.
Mesazhi
“I nderuar Zoti President,
Jam shumë i trishtuar për humbjen e jetëve njerëzore, si dhe dëmet e mëdha materiale të shkaktuara nga tërmeti i fuqishëm që goditi sot disa qytete të Italisë qendrore.
Me hidhërim të thellë i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve të viktimave dhe ju siguroj se në këto momente të vështira dhe dhimbje, unë dhe populli shqiptar jemi me familjet e prekura nga tërmeti, me ju dhe popullin mik italian.
Lutem e shpresoj që nën rrënojat e godinave të shembura të mos ketë më viktima të tjera, ndërsa të lënduarve i uroj shërim sa më të shpejtë.” – përfundon mesazhi i Presidentit Nishani.
Kryeministri Edi Rama shprehu sot ngushëllimet për viktimat e tërmetit që goditi Italinë, si dhe kërkoi solidaritet vëllazëror me popullin e qeverinë italiane.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Kryeministri Rama shprehet se “kjo është një ditë e trishtueshme për Italinë mike”.
“Një ditë e trishtueshme për Italinë mike! Ngushëllimet më të ndjera për viktimat e tërmetit e solidaritet vëllazëror me popullin e qeverinë”,shkruan ai.
Për bilancin tragjik që lanë tërmetet e fuqishme që goditën Italinë ka reaguar edhe lideri i opozitës shqiptare Lulzim Basha përmes një statusi në rrjetet sociale:
“Dhimbje dhe solidaritet me popullin italian dhe qeverinë italiane në këto momente të veshtira që la pas termeti i fuqishëm në orët e para të mengjesit të sotëm.
Jemi pranë familjeve të bashkëqytetarëve tanë dhe ju urojme shërim sa më të shpejtë të plagosurve.
Ngushellime familjeve të viktimave. Mendimet dhe lutjet tona jane me te lenduarit dhe familjet e viktimave”,thuhet në postimin e liderit demokrat.





