* Më 9 prill, Presidenti refuzoi ftesën e Vladimir Putin për paradën në Sheshin e Kuq
23 prill 2015 – Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Rusi në bashkëpunim me Ambasadën e Federatës Ruse në Tiranë organizoi në galerinë “Jozef” një aktivitet përkujtimor për 70-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Aktiviteti pati si moderator shkrimtarin dhe publicistin Shpend Topallaj. Pushteti lokal përfaqësohej në aktivitet nga prefekti Roland Xhelilaj, nga kryetari i Këshillit Bashkiak Alban Ramohitaj (PS) dhe nga anëtari i Këshillit bashkiak, Bardhyl Agasi (PS). Shkëlqesia e tij ambasadori Aleksandër Karpushin përshëndeti pjesëmarrësit në emër të Federatës Ruse. Ai pasi bëri një rezyme të shkurtër të Luftës së Dytë Botërore, ngriti edhe disa problem.
Tipike ishte shqetësimi që shkaktojnë përpjekjet për revizionimin e historisë duke ulur peshën dhe rëndësinë e Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë kontekst ai dha disa shifra me burime sovjetike të sasisë së trupave të aleatëve dhe të gjermanëve në frontin perëndimor në verën e viti 1944 dhe në frontin lindor në të njëjtën periudhë. Ai në mënyrë miqësore bëri vërejtje, që qeveria shqiptare duhet të bëjë më shumë për ish-partizanët, veteranët e nderuar të Luftës së Dytë Botërore.
Prefekti Xhelilaj në fjalën e tij pasi i vuri në dukje luftën heroike të partizanëve shqiptarë, duke qenë vetë pinjoll i një familje partizanësh theksoi edhe një herë miqësinë, që e lidh popullin shqiptar me popullin rus dhe respektin, që kanë shqiptarët për kontributin dhe sakrificat e popujve të ish-Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ambasadori Karpushkin kërkesës së bërë nga korrespondenti i Agjencisë Dyrrah për të komentuar mbi refuzimin e ministres Kodheli për të dërguar një kontigjent ushtarakësh shqiptarë për të parakaluar në sheshin e Kuq në 9 maj iu përgjigj: Ne nuk komentojmë as refuzimin e ftesës nga ana e ministres Kodheli, as refuzimin nga Presidenti Nishani të njëjtës ftesë të bërë nga Presidenti Putin për pjesëmarrje në festimet e 9 majit në Moskë. Entuziazmi në sallë ama tregoi ndjenjat e vërteta të popullit shqiptar për Rusinë dhe për fitoren e 9 majit mbi nazifashistët.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah”





