Tiranë, 1 mars 2014 – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka refuzuar faljen e Nazime Vishës, 19-vjeçares së dënuar me 10 vjet heqje lirie për “vrasje me paramendim”, raporton gazeta “Panorama”.  Kërkesa e përcjellë nga Ministria e Drejtësisë për faljen e dënimit të Nazime Vishës ka marrë përgjigje negative nga institucioni i Presidencës. 

Mësohet se refuzimi i kërkesës së 19-vjeçares së dënuar për vrasjen e Fiqiri Muçës në 13 gusht 2012 në Krrabë, është motivuar me “mospërmbushje të kritereve ligjore për përfitimin e faljes”. Në fillim të muajit dhjetor të vitit të kaluar, 6 personalitete të artit, shkrimtarët Ismail Kadare e Dritëro Agolli, sopranoja Inva Mula, poetët Luljeta Lleshanaku dhe Rudolf Marku si dhe violinisti Tedi Papavrami nënshkruan një letër të hapur, në të cilën i kërkonin drejtësisë shqiptare faljen e vajzës së re.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/