TIRANE, 5 tetor 2013 – Presidenti Bujar Nishani, duke folur në studion e emisionit “Fakt” në UTV, sërish doli kundër mazhorancës, këtë herë në lidhje me shtyrjen e ligjit për nëpunësin civil.

“Përsa i takon ligjit për nëpunësin civil, unë kam bindjen e plotë që çdo ndërhyrje e njëanshme në një akt të arritur me konsensus, jo në kontekstin e shifrave dhe numrave, por të frymës së aktit në tërësi dhe të veprimit politik në veçanti, për më tepër kur akti konkret, akti ligjor ka qenë i përcaktuar si një detyrim i sjelljes konsensuale të palëve politike, për mua është e dëmshme dhe nuk duhet të ndodhë. Pa dyshim, te pjesa më e veçantë, për ta mbyllur pyetjen e zotit Zheji, administrata duhet të jetë tërësisht e mbrojtur. Nëse do të më lejoni, unë edhe përfitoj nga rasti i një eksperience personale si një ish-ministër i Brendshëm që kishte dhe pjesën e Departamentit të Administratës Publike,” tha Nishani.

Presidenti ishte edhe kundër deklarimeve të Ramës për situatën ekonomike në vend.

“Unë nuk besoj që ekonomia shqiptare është në buzë të greminës. Po të merret edhe një element tjetër, i cili sot në ekonominë botërore, por dhe në ambientet e specializuara të ekonomisë, konsiderohet si një çështje e një treguesi të rëndësishëm, që është borxhi (debiti) që ka një shtet. Po të shikosh strukturën e borxhit që ka shteti shqiptar, është një strukturë që nuk është malinje për sa kohë, në tërësi, pjesa më e madhe e borxhit është në monedhën vendase, është brenda vendit, janë të gjitha gjasat që kjo të adoptohet përmes një politike të kujdesshme menaxhuese. Por, ajo që unë bashkohem me Kryeministrin dhe që do ta mbështesja fort dhe që besoj që do të kërkonte mbështetjen e tërë institucioneve ka të bëjë me një angazhim të madh në raport me mbledhjen e të ardhurave,” tha Nishani.

Por Presidenti bëri sikur ishte edhe kundër opozitës, kur tha se bojkoti nuk duhet të kthehet në platformë politike.

 “Do ta përfshij në një përgjigje. Unë do të dëshiroja që ato të ishin tërësisht dhe të mbeteshin akte të momentit, dhe jo një platformë politike e opozitës, pasi besoj në mënyrë të pandryshuar që aseti i madh që ka demokracia dhe opinioni në tërësi, që është opozita, do t’i japë një rol shumë të madh vendit në çështjet e debatit politik në Parlament dhe në tërësi në pjesën e komunikimit ndërinstitucional”.

/TemA /