TIRANE – Pas një sërë reagimesh në lidhje me Preshevën, ka reaguar dhe Presidenti Bujar Nishani, i cili ka dënuar me vendosmëri aktin e fundit provokativ të autoriteteve të Beogradit, të cilat zgjodhën gjuhën e forcës për të hequr përmendoren e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit. 

Teksa ka vlerësuar autoritetet lokale dhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës se po vepronin me maturi dhe në mënyrë institucionale për të gjetur një zgjidhje të pranueshme, Nishani akuzon Beogradin se përdori forcat policore, duke dëshmuar se nuk është i çliruar ende nga mentaliteti dhe fobitë e së shkuarës dhe se kur bëhet fjalë për shqiptarët ai zbaton standarde të dyfishta. 

‘Veprime të tilla dëmtojnë rëndë situatën e brishtë në Luginën e Preshevës, stabilitetin në rajon dhe frymën e dialogut e mirëkuptimit, me vështrim nga e ardhmja, të cilën po përpiqemi të ndërtojmë me përpjekje dhe durim’-thuhet ne reagimin zyrtar të Nishanit, i cili u bën apel palëve për maturi. 

Presidenti i Republikës shpreh shqetësimin për veprimin e dhunshëm të dëmtimit të varrezave të komunitetit serb në Kosovë, i cili është gjithashtu dhunim flagrant i traditës shqiptare dhe në kundërshtim të plotë me interesat legjitime të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe shqiptarëve në të gjithë rajonin.