TIRANE, 08 mars 2013 – Kreu i shtetit Bujar Nishani, me rastin e 8 marsit ka pritur sot pasdite në Presidencë gratë gjyqtare, të cilat i ka uruar. “Është padyshim një kënaqësi që sot jam në ambientet e Presidencës me gjyqtaret e Republikës. Më lejoni që duke adresuar këtë urim, juve zonjave të nderuara që keni marrë përsipër një detyrë të rëndësishme, atë të dhënies së drejtësisë më lejoni t’ju uroj të gjitha juve, por edhe nënat, gratë, motrat shqiptare kudo që ndodhen”, tha Nishani.

“Sot në ditën e 8 marsit, kur gratë kujtojnë vlerat, të drejtat dhe arritjet e tyre ja vlen të theksoj se profili i gruas shqiptare është një grua e fortë, dhe që ka fituar atë brishtësinë që i ishte shkatërruar gjatë diktaturës. Nuk besoj se ka ndonjë grua, që sot është gjyshe dhe s’i kujton vuajtjet e rinisë, punën e rëndë më shumë se burrat ndonjëherë”, citoi Nishani.

Presidenti i Republikës nuk ka lënë pas edhe politikën, ku përçoi mesazhin se pikërisht këtu zëri i gruas duhet të dëgjohet e të jetë më i fortë.

“Shqipëria ka nevojë për një kulturë të re politike, ku zëri i tyre të jetë më i plotë e më me peshë. Duhet të bashkojmë forcat për të krijuar një profil të plotë të grave që merren me politikë. Ju gra që ushtroni sot drejtësinë, jeni dëshmitare të hapave që kanë hedhur gratë deri më sot. Ne ua njohim vlerat dhe ju jemi mirënjohëse, gëzuar 8 marsin”, përfundoi Nishani.

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/