26 korrik 2015 – Kryeministri Rama dhe kryetari i Parlamentit Ilir Meta duket se janë përgatitur për pushime të gjata. Pasi kanë fituar zgjedhjet vendore, pasi kanë miratuar ligjet që kanë dashur, si ai arsimit të lartë që po kundështohet me forcë nga pedagogë e studentë, dy aleatët që po qeverisin vendin prej dy vjetësh kanë prenotuar për gjithë sezonin rezidencat qeveritare në Vlorë e Dhërmi.

Lajmi është dhënë nga Tv Klan, që raportonte se në këto dy rezidenca nuk do të mund të pushojë për asnjë ditë të vetme Presidenti Bujar Nishani. Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare thuhet se e ka vënë në dijeni zyrtarisht kreun e shtetit se nuk do të mund të pushojë në dy rezidencat, pasi ato janë prenotuar nga Rama e Meta për gjithë verën. Duke parë se në Vlorë e Dhërmi do të pushojë drejtuesit e aleancës qeverisëse, presidenti Nishani kishte zgjedhur këtë fundjavë të pushojë te plazhi i Ranës së Hedhun, në Shëngjin, në një hotel të thjeshtë.

Kreu i shtetit nuk është ankuar për këtë fakt publikisht, por TV Klan e quajti një vendim absurd atë të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, pasi anashkalon kreun e shtetit edhe nga e drejta për të qëndruar në rezidencat shtetërore, si një detyrim edhe për shkaqe sigurie. Duke i shmangur komentet për vendimin, presidenti, i filmuar me vjeshje sportive, ka preferuar të pushojë disa ditë tek Rana e Hedhun, nën shoqërinë e bashkëshortes.

Ndërsa nuk dihet ende se cili nga dy krerët e aleancës qeverisëse ka zënë vilën e Vlorës dhe cili atë të Dhërmiut. Sidoqoftë, ky lajm do t’i heqë merakun edhe gazetarit të Top Channel, Met Veliu, i cili pak ditë më parë po shprehte keqardhjen që në vilën qeveritare të Dhërmiut kishte dy vjet që nuk pushonte askush nga krerët e qeverisë.  

/Lapsi.al/