TIRANE – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i shprehu sot ngushëllimet familjarëve të Shefit të Krimeve të Matit, Musa Skura, i cili ra në krye të detyrës. Në mesazhin e Presidentit Nishani vlerësoi punën dhe kontributin e komisarit Skura në misionin e tij për të mbrojtur rendin dhe jetën e qytetarëve. 

“Ashtu si të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë që besojnë te shteti dhe te ligji, bashkë me të gjithë shokët, kolegët, miqtë, të afërmit e të ndjerit Musa Skura, Shefit të Krimeve në Rrethin e Matit, që u nda nga jeta në krye të detyrës, i shpreh ngushëllimet e mia bashkëshortes, tre djemve të tij dhe gjithë familjarëve të të ndjerit! Çaste të këtilla janë të rënda, por në këtë ngushëllim të sinqertë unë gjej guximin për të shprehur krenarinë time për punën, aktin dhe mënyrën se si jetoi dhe kontribuoi në detyrën e tij, në misionin e tij për të mbrojtur rendin dhe jetën e njerëzve të thjeshtë, komisari Musa Skura. Nuk është hera e parë që forcat e rendit ndeshen me të tilla ngjarje, ku prova për mbrojtjen e rendit ndodh që merr edhe jetën e tyre.”- theksohet në mesazhin e Presidentit. 

Sipas kreut të shtetit, forcat e rendit meritojnë respektin, vlerësimin dhe mirënjohjen e gjithë shoqërisë. 
“Rreziku i detyrës së të gjithë efektivave të Policisë së Shtetit është i madh, por vlera e punës dhe misionit të tyre fisnikërohet pasi shpëtojnë jetë, ndalin dhunën, parandalojnë krimin dhe krijojnë besimin se asnjë qytetar nuk është vetëm përballë ligësisë. Në këtë unitet tonin, në hidhërime e në gëzime, ne do të ndiejmë çdo çast përkrahjen e forcave të rendit, mbështetjen e shtetit ligjor. Kështu do të donte Musa Skura po të ishte ende gjallë. Kështu duam të gjithë ne.”- përfundon mesazhi i presidentit Nishani. 

Shefi i krimeve të matit, Musa Skura ndërroi jetë mbrëmjen e së hënës në spitalin "Padre Pio" në Foxhia të Italisë, ku u transferua një javë më parë në gjendje tepër të rëndë, për shkak të dëmtimit të 5 organeve dhe hemorragjisë së brendshme. Komisari Musa Skura u plagos mbrëmjen e 13 janarit gjatë një operacioni për arrestimin e anëtarëve të një bande kriminale.