TIRANE, 19 shkurt 2013- Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka kërkuar nga prokurorët të luftojnë korrupsionin dhe të jenë të pavarur nga çdo lloj ndikimi në punën e tyre.

Në një takim me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe me drejtues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Prokurorise së Tiranës, Task-Forcës, kreu i shtetit theksoi se duhet të forcohet besimi qytetar te forca e ligjit dhe tek shteti i së drejtës.

“Prokurorët nuk mund t’i bëjë të pavarur Presidenti, por puna e tyre” theksoi Nishani.

Ndërsa e cilësoi si një nga sfidat më të rëndësishme çështjen e funksionimit të Task forcës, presidenti Nishani kërkoi rivitalizim të hetimeve nga këto grupe hetimore.

“Kërkoj nga grupet e task forcës një rivitalizim të hetimeve dhe duke inkurajur që përmes transparencës dhe profesionalizmit  të kryehen të gjitha veprimet hetimore dhe ligjore.  Kjo kërkon një pavarësi shëum të madhe, një vlerësim dhe një qëndrim strikt para ligjit. Unë dëshiroj që metedologjia e hetimeve të jetë pjesë e një dinamike më të madhe për të gjithë prokurorinë por veçanërisht e Taks Forcës. Ashtu siç sot kemi infrastrukturën dhe teknologjinë për të marrë të gjitha provat e nevojshme do të inkurajoja bashkëpunimin mes institucioneve duke ruajtuar të pacënuar rolin e lidershipit dhe të pavarësisë të çdo institucioni” tha Nishani.

Ai shprehu edhe njëherë gadishmërinë dhe mbështetjen e institucionit të presidentit për të mbështetutur prokurorinë në punën e saj.