TIRANE– Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim kortezie Kryeministrin e Federatës së Bosnje-Hercegovinës, Nermin Nikšić dhe delegacionin që e shoqëron në vizitën zyrtare, që po zhvillon në vendin tonë me ftesë të Kryeministrit të Shqipërisë.
Presidenti Nishani vlerësoi marrëdhëniet e mira midis dy vendeve dhe u shpreh se ka ende shumë hapësirë për forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve tona mike, intensifikimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe në kuadër të integrimit euro-atlantik, si dhe shtoi se është e plotësisht e mundur që Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina të krijojnë një model bashkëpunimi të vlefshëm për sigurinë, paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe më gjerë.
Kreu i Shtetit nënvizoi se zhvillimet e fundit në Ballkan kanë krijuar shtetin e ri të Kosovës, i cili nëpërmjet ndërtimit të demokracisë, shtetit ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut, pavarësisht përkatësisë etnike, po i shërben stabilitetit në rajon.
Në këtë kontekst, Presidenti Nishani theksoi se “besoj se rajoni ka nevojë për gjithëpërfshirje dhe jo për izolime”.
Nga ana e tij, Kryeministri i Federatës së Bosnje-Hercegovinës Nermin Nikšić e çmoi si shumë të rëndësishme mbështetjen e Shqipërisë për stabilitetin e Bosnje-Hercegovinës dhe integrimin e saj euro-atlantik duke ndarë të njëjtin mendim se veçanërisht bashkëpunimi në fushën e turizmit, energjitikës, shkëmbimit tregtar e kulturës do të forcojë marrëdhëniet ndërmjet vendeve tona.
Kryeministri Nikšić e konsideroi nxitjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve të të dy vendeve si një instrument shumë të rëndësishëm që promovon njohjen ndërmjet popujve tanë dhe mundësitë për bashkëpunim.