TIRANE, 22 qershor 2013 – Presidenti i Republikës Bujar Nishani priti sot në një takim delegacionin ad-hoc të Parlamentit Europian i kryesuar nga Eduart Kukan, Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Marrëdhëniet me Shqipërinë, Bosnjen dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën.

Presidenti Nishani pas shkëmbimeve të mirëseardhjes e vlerësoi praninë e Delegacionit të Parlamentit Europian në Shqipëri si shprehje të vlerësimit, përkujdesjes dhe partneritetit që ky institucion dhe të gjithë institucionet e Bashkimit Europian tregojnë për Shqipërinë dhe për procesin e integrimit europian të saj, duke shtuar se anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet objektivi strategjik i vendit tonë, suksesi i të cilit bazohet para së gjithash në vullnetin e palëkundur të qytetarëve shqiptarë, të cilët e shohin arritjen e këtij objektivi si një mënyrë të sigurtë që institucionet shqiptare të arrijnë standardet europiane dhe të ofrojnë shërbime të këtyre standardeve.

Presidenti Nishani vijoi më tej se zgjedhjet janë momenti më i rëndësishëm i demokracisë funksionale kur qytetarët e kanë pushtetin në dorë duke vënë në dukje se kjo fushatë zgjedhore është bazuar përgjithësisht në paraqitjen e programeve dhe jo në sulme individuale, e për rrjedhojë mund të cilësohet si më e mira. Kreu i Shtetit u shpreh besimplotë se përqasja e politikanëve pas zgjedhjeve do të jetë e njëjtë me atë të qytetarëve shqiptarë, të cilët me sjelljen e tyre po tregojnë një pjekuri që garanton suksesin e zgjedhjeve.

Presidenti Nishani nënvizoi gjithashtu se infrastruktura ligjore, kapacitetet infrastrukturore si lista elektronike e votuesve, dokumentet e identifikimit, numërimi transparent dhe ndihma e faktorit ndërkombëtar janë faktorë shumë të rëndësishëm dhe vendimtarë që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme të standardeve europiane.

Zoti Kukan pasi vlerësoi paraqitjen e detajuar të situatës nga Presidenti Nishani garantoi se Parlamenti Europian, delegacioni i të cilit është politikisht shumë i balancuar mbështet, inkurajon dhe ndihmon në vijimësi Shqipërinë në këtë proces shumë të rëndësishëm elektoral, por i mëshoi faktit se faktori bazë mbetet ai shqiptar.

Parlamentari europian vlerësoi si shumë të rëndësishme që pas një fushate zgjedhore relativisht të qetë reagimi i forcave politike pas zgjedhjeve mbetet shumë i rëndësishëm për fatin e tyre.

Nishani pret delegacionin e OSBE: Fushata zgjedhore, nga më të mirat

Po sot Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim një delegacion të OSBE-së i kryesuar nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare, Wolfgang Grossruck.

Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan se fushata zgjedhore ka qenë nga më të mirat sepse ajo është bazuar në paraqitjen e alternativave dhe debatin për programet dhe se ka shmangur në përgjithësi sulmet personale.

Presidenti Nishani më tej shprehu mirënjohjen për OSBE-ODIHR-n për ndihmën e tyre në përgatitjen e kuadrit ligjor për zgjedhjet dhe pasi bëri një paraqitje të detajuar të situatës parazgjedhore shprehu bindjen në suksesin e këtyre zgjedhjeve, e cila sipas Presidentit Nishani bazohet në ligjin elektoral, infrastrukturën moderne zgjedhore, transparencën, sjelljen e përgjegjshme të qytetarëve shqiptarë dhe me shpresën se partitë politike do të reagojnë në mënyrën e duhur pas rezultatit të zgjedhjeve.

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck në përgjigje vlerësoi zgjedhjet si shumë të rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin ku Shqipëria ka një rol të rëndësishëm në stabilitetin e tij, duke shtuar se në suksesin e zgjedhjeve është veçanërisht e interesuar edhe OSBE-ja.