STAMBOLL, 10 prill 2013–  Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani dhe anëtarë të Kabinetit ndodhet në Turqi, në kuadër të Samitit të 16-të Euroaziatik të Ekonomisë, i cili po mbahet në qytetin e Stambollit në datat 9-11 prill. 

Në çelje të samitit, Presidenti Nishani mbajti një fjalë përshëndetëse ku theksoi ndër të tjera se Shqipëria mbetet një faktor gjeopolitik thelbësor për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. 

“Shqipëria ka dhënë mbështetjen dhe kontributin e saj modest ndaj nismave dhe institucioneve me karakter rajonal dhe më gjerë dhe partnerëve të saj në frontin e parë të përpjekjeve për paqe dhe siguri në botë. Shqipëria nuk ka nguruar të japë kontributin e saj me trupa dhe ekspertë ushtarakë dhe civilë në misionet e ndryshme në Afganistan, Irak, Çad, Gjeorgji, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë dhe do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë sa herë të nevojitet. Një kontribut i vogël në shkallë globale, por shumë i madh, krahasuar me kapacitetet dhe burimet tona. Kjo gatishmëri e Shqipërisë, megjithë vështirësitë e mëdha, është vlerësuar edhe nga partnerët tanë si shprehje e shpirtit dhe përkushtimit të popullit shqiptar për t`i shërbyer lirisë dhe sigurisë globale”, tha Nishani më tej. 

Kreu i Shtetit theksoi se Shqipëria mbetet partizane e forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në Bashkimin Evropian. 

“Vështrimi drejt së ardhmes euroatlantike ka stimuluar një frymë të re dialogu dhe bashkëpunimi në rajonin e Ballkanit. Serbia dhe Kosova janë ulur në bisedime për zgjidhjen e problemeve ndërmjet tyre”, tha Nishani. 
Presidenti Nishani u shpreh se pavarësia e Kosovës u provua si një faktor stabiliteti në rajon, ndërsa tha se njohja sa më shpejt e Kosovës nga vendet që nuk e kanë njohur dhe integrimi euroatlantik i saj janë kontribut për sigurinë në rajon e më gjerë. 

Sipas kreut të shtetit angazhimi i përbashkët i vendeve të rajonit dhe Euroazisë do t`i shërbejë rritjes së potencialit ekonomik dhe ndryshimit të imazhit të rajonit, për ta bërë atë një treg të dukshëm, tërheqës dhe konkurrues për investitorët e huaj nga e gjithë bota.