TIRANE, 11 mars 2013– “Besa, mikpritja, bujaria, toleranca etnike dhe fetare, ruajtja e farefisnisë janë ndër normat themelore të sjelljes islame dhe ndër të paktat gjëra me të cilat ne mund të krenohemi”,- tha sot në mbrëmje presidenti i Republikës, Bujar Nishani që ishte i pranishëm në ceremoninë kushtuar 90-vjetorit të Themelimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kreu i Shtetit theksoi se “tradita jonë ekumenike si dhe prirja e theksuar moralo-kombëtare e islamit tonë, përbëjnë dy pasuri të rëndësishme të kulturës shqiptare, të ngulitura në karakterin tonë identitar, për t’i dhënë fytyrë, qëllim e mision, shprehjes së Zotit mbi kombin shqiptar në të gjithë historinë e ardhmërinë e tij, drejt lirisë, demokracisë dhe ëndrrës sonë evropiane”.
“Le ta ruajmë këtë frymë e ketë besim, siç e kemi trashëguar, le ta vendosim atë në shërbim të të gjithë shqiptarëve, kudo ku janë e në zhvillim e perspektivës së çështjes kombëtare.”- vijoi më tej ai.
Në fjalën e tij, kreu i shtetit u ndal në mënyrë të veçantë tek Haxhi Vehbi Dibrës dhe Hafiz Sabri Koçi si dy prej figurave, kontributi i të cilëve është për t’u çmuar. Ai vlerësoi rëndësinë e komunitetit mysliman, i cili ka shënuar themelimin e institucioneve më të rëndësishme drejt lirisë, demokracisë dhe përparimit ekonomik të vendit.
/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





