24 dhjetor 2013- Në këtë prag vigjiljes të Krishtlindjeve, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani ka përcjellë urimin e tij për të gjithë besimtarët e krishterë duke u shprehur se festa  e shenjtë e Krishtlindjeve, na jep rastin të dëshmojmë se detyrimet e pashmangshme njerëzore nuk i harrojmë por i kujtojmë. Me tej Nishani ka shprehur urimet më të sinqerta për një krishtlindje të kthjellët, të begatë, dhe shpresëdhënëse për të gjithë.  

"Të dashur, të nderuar dhe të respektuar, besimtarë kristianë, ju uroj nga zemra Gëzuar Krishtlindjet, Gëzuar ditën e shenjtë të Ringjalljes, Gëzuar këtë festë të madhërishme që ngroh zemrat, ndriçon shpirtrat, kthjellon mendjet. Krishtlindjet, duke qenë festë e Ringjalljes, janë vetvetiu edhe festë e shumëçkaje tjetër që Ringjallja nënkupton dhe përcjell; festë e urtësisë, mirësisë, mirëkuptimit, afrimit, pajtimit, paqes, gjallërisë, zbukurimit dhe begatimit të jetës.   Festa e Krishtlindjeve këto i arrin përmes evokimit të virtyteve më të larta njerëzore; dashurisë, mëshirës, respektit, mirësjelljes, qytetarisë. Kjo festë e shenjtë, na jep rastin të dëshmojmë se detyrimet e pashmangshme njerëzore nuk i harrojmë por i kujtojmë. E jo vetëm i kujtojmë, por edhe i zbatojmë. Të tilla detyrime, që përmes kësaj feste kujtojmë dhe ripërtërijmë, janë mes tjerash; Ndjeshmëria ndaj njerëzve fatkeqë dhe në nevojë; obligimet ndaj të moshuarve, përkujdesjet ndaj të sëmurëve, të braktisurve; mëshira për të vobektit dhe gatishmëria për t’i ndihmuar ata dhe të tjerët të ndjehen njerëz si gjithë njerëzit, etj.   Për të gjitha këto, na duhet shumë punë, që patjetër duhet t’i kryejmë, dhe shumë sakrifica, që patjetër duhet t’i vuajmë. Se vetëm ashtu do dëshmojmë para vetes dhe Krijuesit, se jemi njerëz dhe mëshirën e Tij e meritojmë. Urimet më të sinqerta për një krishtlindje të kthjellët, të begatë, dhe shpresëdhënëse për të gjithë. Gëzuar" shprehet Nishani në mesazhin e tij të urimit.