Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka dekretuar sot datën e zgjedhjeve që do të mbahen për kryetar të Bashkisë së Peshkopisë.
Kjo pasi ky i fundit u shkarkua me vendim qeverie pas bërjes publike të një videoskandali ku Xhelili shihej e dëgjohej me zë e me figurë teksa i kërkonte favore seksuale një vajze në këmbim të një vendi pune. Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje kërkesën e ish-kryebashkiakut të Dibrës, Shukri Xhelili, për ta rikthyer në vendin e punës, duke i dhënë fund procesit gjyqësor dhe hapur kështu rrugë zhvillimit të zgjedhjeve të pjesshme.
Mbajtja e zgjedhjeve në 11 Shtator për kryebashkiakun e Peshkopisë është edhe një provë për koalicionin tashmë të krisur Rama-Meta.
Edhe pse palët nuk janë shprehur hapur në deklaratat e tyre publike, aktorë të tjerë të të dyja forcave politike e kanë pranuar hapur se koalicioni nuk është në ditët e tij më të mira, që pas diskutimeve për reformën në drejtësi.
Mbetet të shihet nëse në zgjedhjet për Bashkinë e Peshkopisë, PS-LSI do të dalë me kandidat të përbashkët, apo me kandidat të veçantë për PS dhe LSI.
Ditën e djeshme, kreu i LSI-së, Ilir Meta konsumoi një drekë me ish-Presidentin Meidani, i cili tashmë përflitet si kandidat për kryeministër të një qeverie teknike.
Më pas, Meta zhvilloi edhe një takim me kryeministrin Rama në vilat qeveritare. Ditën e sotme, kreu i PD-së, Lulzim Basha bëri thirrje për koalicion për qeveri teknike, që do të mbajë zgjedhjet elektorale të vitit të ardshëm.
Ai vlerësoi rolin e Ilir Metës në arritjen e konsensusit për reformën në drejtësi, çka mund të jetë tregues i afrimit të tij me LSI-në.
D E K R E T
PËR CAKTIMIN E DATËS SË ZGJEDHJEVE PËR KRYETAR TË BASHKISË PESHKOPI, QARKU DIBËR
Në mbështetje të nenit 92 gërma “gj” dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 10, pika 3 e ligjit nr. 10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” , i ndryshuar,
D e k r e t o j
Neni 1
Caktimin e datës 11 shtator 2016, për zhvillimin e zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë Peshkopi, Qarku Dibër.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Nr. Dekretit 9716
Tiranë, më 02.08.2016
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
BUJAR NISHANI





