TIRANE – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Dr. Ismet Yilmaz, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin tonë, me ftesë të homologut të tij, z. Arben Imami.
Duke vlerësuar miqësinë, solidaritetin dhe partneritetin ndërmjet dy vendeve si tradicionale dhe historike, Presidenti Nishani dhe Ministri Yilmaz u shprehën se Shqipëria dhe Turqia janë partnerë strategjikë dhe se bashkëpunimi ndërmjet tyre në të gjitha fushat, e veçanërisht në fushën e mbrojtjes, mund të konsiderohet si model për vendet e NATO-s dhe të gjithë vendet që aspirojnë paqe, siguri dhe stabilitet.
Ministri Yilmaz shprehu vlerësimet e tij për përparimim e përgjithshëm të Shqipërisë në rrugën e reformave dhe veçoi Forcat e Armatosura të Shqipërisë si forca plotësisht të integruara në NATO.
Ndërsa u shpreh se Ballkani do të jetë i qetë kur të gjitha vendet të jetojnë në harmoni, me njëri-tjetrin, ministri turk e veçoi Shqipërinë si një faktor të fuqishëm për stabilitetin në rajon.
Nga ana e tij, Presidenti Nishani pasi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e gjithanshme të Turqisë, dhe veçanërisht për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, vuri në dukje se në kontributin që Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura japin për NATO-n, Turqia ka rolin e saj.
Kreu i Shtetit garantoi se Shqipëria do të vijojë të luajë rolin e saj në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon, duke shprehur bindjen se ky është shërbimi më i mirë që bëjmë për NATO-n, Ballkanin dhe Evropën.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se Kosova po provohet si një faktor i rëndësishëm për paqen në Ballkan dhe se Shqipëria dhe Turqia duhet të nxisin njohjet e mëtejshme të shtetit të Kosovës dhe të punojnë që Kosova të zërë vendin e saj në komunitetin ndërkombëtar.





