Ka nisur paraditen e kësaj të hëne në Durrës fushata e përvitshme “16 ditët e aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Si një nga qarqet me rastet më të shumta të dhunës në familje, ku viktima të saj janë kryesisht vajzat dhe gratë, ndërgjegjësimi i tyre për të mos qëndruar në heshtje është një hap më shumë për t’i thënë stop dhunës.

Dhe pikërisht ky mesazh përcillet nga slogani i këtij viti.

“Në Shqipëri dhe në të gjithë botën slogani është asnjë justifikim për dhunën ndaj grave. Hapi i parë që duhet të bëjmë kur themi asnjë justifikim është ideja që çdo njeri të mendojë se s’ka më dhunë, s’duhet të ketë më dhunë”.

Për kryetaren e shoqatës “Gender, Paqe e Siguri”, Bajana Çeveli këto 16 ditë aktivizmi janë një mundësi e mirë për të ndërtuar një bashkëpunim sa më të mirë midis institucioneve për parandalimin e saj.

Ajo tregon një rast konkret të dhunës në familje, ndërsa pohon se me gjithë punën e bërë ndër vite statistikat flasin në 50% të rasteve që  viktimat e dhunës rikthehen sërish pranë dhunuesve të tyre.

“Një grua, nënë e 4 fëmijëve të vegjël, në qershor të këtij viti pati një problem me dhunën e ushtruar nga bashkëshorti, i cili tashmë po kryen dënimin.. Ishte një rast që nuk e harroj sepse shpëtuam jetë, jo vetëm të gruas por edhe të 4 fëmijëve.. Nga gjithë eksperiencat tona, ne mund të themi që në mbi 50% të rasteve kur ka pasur dhunë, të dhunuarat janë rikthyer për shumë arsye, ku më e rëndësishmja është strehimi”.

Këto ditë të fushatës shërbejnë si ditë intensive të analizave të punës dhe rezultateve të aktiviteteve dhe veprimtarive për ndërgjegjësimin e opinionit publik, si dhe për ndërmarrjen e angazhimeve të tjera serioze në këtë fushë.

M.B.