Prej fillimit të kësaj jave, të gjitha bizneset që disponojnë strukturë akomoduese para ose pranë hapësirës së plazhit mund të aplikojnë në portalin e-Albania për stacione plazhi.
Kërkesë për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi u mundësohet edhe subjekteve që disponojnë strukturë shërbimi në plazhet përjashtimore, siç janë bashkia Fier, Divjakë, bashkia Pogradec për plazhin Zvërnec, Plazhi i Vjetër Vlorë, plazhet Spille, Vilë-Bashtovë, plazhi i Gjirit të Lalzit, plazhi Hamallaj, plazhi Currila, si dhe plazhet Borsh, Llaman, Lukovë, Himarë etj.
Bizneset aplikojnë në portalin e-Albania duke zgjedhur shërbimin “Kërkesë për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi”. Për çdo stacion plazhi kërkohet vetëm një aplikim dhe përgjigja merret elektronikisht brenda 30 ditëve.
Kontrata për dhënien në përdorim të veprimtarisë si stacion plazhi bëhet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe nënshkruhet me afat nga 1 deri në 5 vjet, sipas vendimmarrjes së Komitetit të Menaxhimit të Sezonit Turistik.
Ende nuk është e qartë se si do të veprohet për plazhet e Ksamilit dhe të Dhërmiut, për të cilat kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se do të jenë zona të lira.
Ndërkohë, për të shmangur çmimet e pakontrolluara të çadrave dhe shezlongëve, qeveria ka miratuar rregulloren e re, e cila përcakton se bashkitë do të vendosin çmimet ‘tavan’ për çdo zonë bregdetare. Vendimi përcakton se Këshilli Bashkiak, përpara fillimit të çdo sezoni turistik, miraton çmimet maksimale për secilën zonë bregdetare në territorin e njësisë vendore, të cilat shërbejnë si kufi maksimal për zbatimin e çmimeve nga subjektet private.
Veprimtaria e stacionit të plazhit ushtrohet brenda periudhës nga 1 maji deri më 15 nëntor të çdo viti.





