Greqia dhe Shqipëria kanë nisur sot në Athinë bisedimet teknike për njohjen reciproke të pensioneve.
Nën koordinimin e ambasadores shqiptare në Athinë, Luela Hajdaraga, diskutimet do të vazhdojnë për dy ditë dhe pritet që të diskutohet e gjithë fasha e legjislacionit dypalësh në fushën e pensioneve.
Sipas informacioneve nga takimi, palët do të fokusohen në vlerësimin teknik të kostove, adresimin e problematikave si dhe të japin zgjidhje konkrete të këtij ngërçi që mundon prej vitesh mijëra shtetas shqiptarë që jetojnë në Greqi.
Vlen të përmendet se është hera e parë që të dy vendet kanë nisur një nismë konkrete për zgjidhjen e këtij ngërçi.
Ndonëse takimi është teknik, palët shprehën vullnetin ta përfundojnë marrëveshjen sa më shpejt, me gjasa brenda 1 ose 2 vitesh.
Emigrantët shqiptarë janë financuesi me i madh i skemës greke të pensioneve ndaj Athina zyrtare ka refuzuar ndër vite t’i japë zgjidhje një marrëveshje për pensionet me vendin tonë, pikërisht prej vlerësimit prej saj se një marrëveshje për pensionet me Shqipërinë do të pakësonte burimet financuese së skemës së saj të pensioneve, çka do ta çonte në kolaps skemën greke.





