13 qershor 2015 – Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për listën zgjedhore të qyteti, pasi dyshohet se në listat e zgjedhëve janë shtuar fiktivisht 2800 banorë.
Një raport për këto dyshime ka mbërritur në prokurori edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Këta persona janë shtuar me kontrata fiktive qiraje si banorë të përkohshëm dhe votues në qytetin e Durrësit.
Prokuroria ka dërguar rreth 600 fletë-thirrje, nga të cilët janë pyetur rreth 60 persona, banorë në zonën e Plazhit, kryesisht ata që pretendohet se kanë dhënë me qira ambiente dhe shtëpi për shtetas nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.
"Nga pyetja e këtyre personave rezulton se ata nuk kanë dhënë shtëpi apo ambiente banimi me qira. Ndërkohë që hetimet po vijojnë, u krijuan dyshime të arsyeshme nga pyetja e këtyre personave se kontratat e qirasë janë fiktive", thekson prokuroria.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





