Në Itali kanë nisur të shfaqen “të çarat” e para mes koalicionit populist në qeverisje, teksa veprimet antiemigracion të Matteo Salvinit, ministër i Brendshëm dhe kryetar i “Lega Nord”-it të ekstremit të djathtë, po shqetësojnë politikanë të lartë të partnerit të tij në koalicion, “Lëvizjes 5 Yjet”, por edhe votuesit kryesorë të partisë.

Votues nga mbarë spektri politik italian u dyndën në krah të lëvizjes antiestablishment “5 Yjet”, e themeluar prej komedianit Beppe Grillo në vitin 2010. Ata u tërhoqën kryesisht nga qëndrimi antikorrupsion i kësaj lëvizjeje, por edhe për shkak se zotimit të saj për të ndihmuar biznesin e vogël, eliminimi i burokracive dhe nxjerrja e popullit nga varfëria, sikurse edhe theksi i veçantë ndaj mjedisit.

Por, kur kanë kaluar dy muaj nga qeveria e koalicionit mes Legës dhe 5 yjeve, disa po shfaqin dyshime të mëdha. Javën e kaluar, Roberto Fico, deputet i 5 Yjeve dhe president i Dhomës së Deputetëve, foli kundër paktit kontrovers me Libinë, që kërkon kthimin me forcë të emigrantëve në vendin e pllakosur nga lufta civile në veri të Afrikës.

Edhe politikanë të tjerë të 5 Yjeve kanë ngritur zërin, teksa sulmet ndaj emigrantëve janë shtuar së fundi. Që prej emërimit të Salvinit si ministër të Brendshëm, në Itali ka pasur 12 raste të shtënash me armë, dy të vrarë dhe 33 agresione fizike në vetëm dy muaj.