Nga e mërkura deri në të dielën e javës që lamë pas në portin më të madh në vend janë përpunuar në hyrje dhe dalje 39747 paasagjerë dhe 11679 automjete.

Fluksi i lëvizjeve është pak më i ulët sesa një javë më parë kur të dhënat zyrtare raportonin 42.585 pasagjerë dhe 13.333 automjete.

Nga e mërkura në të dielë, tragetet e linjës Durrës – Bari dhe anasjelltas kanë operuar me lundrime të dyfishta për të përballuar fluksin e udhëtarëve dhe automjeteve.

Por ndryshimi i një jave më parë, me javën që sapo u mbyll është se tashmë fluksi i lëvizjeve është përqendruar në dalje.

Periudha e pushimeve verore ka përfunduar për shumë nga emigrantët dhe shqiptarët e diasporës kështu që pjesa më e madhe e tyre ka nisur rikthimin në vendet ku ata jetojnë e punojnë.

Ndryshe nga dy fundjavat e para të muajit gusht, kur fluksi i lëvizjeve ishte në hyrje, tashmë në portin më të madh në vend kanë nisur largimet nga vendi, të cilat pritet të zgjasin deri në fund të muajit gusht.

M.B.