Nga mëngjesi i sotëm, për të përballuar fluksin në hyrje të pasagjerëve, tragetet e linjës Durrës – Bari dhe anasjelltas kanë nisur lundrimet e dyfishta.
Rreth 1800 pasagjerë kanë mbërritur me dy tragete të nisura nga Bari, mëngjesin e së enjtes, ndërsa në mbrëmje priten 2 tragete të tjera.
Sipas kapitenit të portit të Durrësit, Tauland Allka. fluksi më i madh do të regjistrohet në fundjavë, kur në portin më të madh në vend parashikohet të mbërrijnë rreth 7000 pasagjerë.
Për të përballuar fluksin në hyrje të emigrantëve që kthehen në atdhe për të kaluar pushimet, autoritetet portuale kanë shtuar numrin e sporteleve si dhe po aplikojnë masa shtesë për shërbimet e ofruara në Terminalin e Trageteve.
“20 sportele janë vënë në funksion të përpunimit në kohë rekord të pasagjerëve dhe mjeteve”,- tha kapiteni Allka.
Ndërkohë, në ditët e para të janarit të vitit të ardhshëm fluksi i pasagjerëve dhe mjeteve do të përqendrohet në dalje, pasi emigrantët nisin kthimin në vendet e tyre të punës, pas festave të kaluara pranë familjeve të tyre.
M.B.