Rikthehen lundrimet e dyfishta të trageteve që lidhin dy brigjet e Adriatikut.
Duke nisur nga dita e mërkurë, 17 dhjetor, në portin e Durrësit do të operohet me 3 tragete në linjën Durrës-Bari dhe anasjelltas.
Ndërkohë, nga data 18 dhjetor dhe deri para Krishtlindjes, tragetet do të kryejnë lundrime të dyfishta për të përballuar fluksin në hyrje të udhëtarëve dhe automjeteve. Lundrime dopio corsa do të ketë edhe në ditët e para të vitit të ardhshëm, por këtë herë fluksi do të përqendrohet në dalje.
“Që nga dita e nesërme (17 dhjetor) kemi një traget shtesë në linjën Durrës-Bari. Nesër në port mbërrijnë 3 tragete nga Bari dhe një nga Ankona. Duke nisur nga data 18 kemi dopio corsa (lindrim i dyfishtë) nga Bari dhe Durrësi. Gjithashtu edhe trageti Durrës-Ankona do të vijojë lundrimet normalisht (të mërkurë, të premte dhe të dielë) nga porti i Durrësit. Lundrimet e dyfishta do të jenë deri në datë 24, para Krishtlindjes, dhe pastaj do të rifillojnë në datë 1 janar, me nisjet nga Durrësi dhe Bari. Sipas të dhënave nga agjencitë detare, që operojnë në linjat Durrës-Bari dhe Durrës-Ankona ka një rritje të lehtë të udhëtarëve, krahasuar me vitin që kaloi.”,– thotë për “DurrësLajm”, kapiteni i portit të Durrësit, Tauland Allka.
Për të përballuar fluksin në rritje në hyrje-daljet nga porti i Durrësit, Policia Kufitare do të operojë me 24 sportele për kontrollin e dokumenteve.
Festat e fundvitit përkojnë me periudhën kur shumë nga emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në perëndim rikthehen në atdhe për të kaluar pushimet pranë familjeve të tyre.
M.B.





