DURRES, 12 mars 2013 – Edhe në Ramazan Njala nisën ndeshjet për kualifikim në katërshen finaliste, në diskutim të titullit kampion. Sipas formulës së parapërgatitur, Teuta e vendit të tretë në Top Volej Liga, ndeshet me Vllazninë e klasifikuar e dyta në Volej Liga.

Takimi u zhvillua ashtu siç pritej, me epërsinë e plotë të ekipit vendas Teuta. Pa dashur të luajë me “zjarrin”, trajneri Jazexhiu prezantoi në fillim të dyluftimit përbërjen më të mirë, për ta përfunduar më pas takimin me lojtaret e stolit.

Në harkun kohor të 59 minutave, Teuta bëri gjithçka që i duhej për të dalë kryelartë nga loja. Në 22 minutat e setit të parë, vajzat shkodrane tentuan t’i jepnin lojës një rrjedhë interesante. Për koiçidencë gati shënuan 1 pikë për çdo minutë. Ndërsa Teuta tek e cila nuk ishte vakur ende, ajo lojë emocionuese zhvilluar me Tiranën me 7 mars në finalen e Kupës së Shqipërisë, u vu re vlerësimi maksimal ndaj një rivaleje modeste siç është Vllaznia.

Përfundimi i setit të parë 25-20. Por në setin e dytë, Vllaznia e ndjeu se konsumoi më shumë forca se ç’duhej dhe nuk arriti të futej në lojë. Teuta u tregua e “pamëshirshme”, duke e mbyllur me një frymë këtë set 25-12. Dhe në fazën përmbyllëse të ndeshjes, Jazexhiu është në komoditetin e eksperimentimit.

Ngushtimi i diferencës në setin e tretë 25-23, erdhi më shumë si pasojë e aktivizimit të lojtareve të reja të Teutës, se sa i rritjes së rivalitetit të ekipit mik nga Shkodra.

TEUTA – VLLAZNIA 3-0

SETET  –   25-20, 25-12, 25-23

Formacionet

TEUTA: Begiçi, G. Smajlaj, Guza, Gashi, S. Smajlaj, Zakova, Llupo, Dallupi, Plaku, Maloku. Trajner; E. Jazexhiu

VLLAZNIA: A. Gjecaj, Vistaraj, Molla, Peteza, Rranxa, Koçeku, Vucaj, Çekaj, Picaku. Trajner: S. Goga

GJYQTARË: R. Kuka, M. Kondakçiu

/b.q. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/