Në dy lajme të publikuara me burim nga Tirana dhe Prishtina, Agjencia Telegrafike Shqiptare ka bërë të njohur informacionin mbi hapjen e Zyrës Doganore të Kosovës në portin e Durrësit.
Nga 1 janari mallrat tranzit për tregun e Kosovës do të kontrollohen nga agjentët doganorë kosovarë të cilët tashmë do të kenë zyrën e tyre në Portin e Durrësit. Dogana e Kosovës deklaroi sot se, grupet teknike kanë filluar procedurat për hapjen e zyrës së kësaj Dogane në Portin e Durrësit.
Në kuadër të bashkëpunimit si dhe të zbatimit të vendimeve të dyja qeverive, në dy ditët e kaluara në Tiranë dhe Durrës, drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha ka takuar drejtoren e përgjithshme të Doganës së Shqipërisë, Belinda Ikonomi, si dhe drejtorin e përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës, Afrim Bakaj.
Në takim ishin prezentë edhe dy grupet punuese të administratave doganore, ku edhe janë diskutuar procedurat teknike për hapjen e Zyrës së Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit.
Gjatë vizitës në portin e Durrësit u përcaktuan zyrat dhe ambientet e punës për Doganën e Kosovës, ku do të zhvillohen procedurat doganore të tranzitit-përfundon ATSH.