Kanë nisur procedurat për zëvendësimin e prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla, të cilit i mbaron mandati ditën e nesërme më 7 dhjetor.

Shumica ka deklaruar se do të zgjedhë një prokuror të përkohshëm deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndërsa opozita e ka kundërshtuar duke akuzuar mazhorancën se do të vendosë një kryeprokuror që të mbyllë dosjet e krimit.

Drejtoria për Monitorimin e Institucioneve të Pavarura në Kuvend, në një memo drejtuar Komisionit të Ligjeve, bën të ditur se Adriatik Llallës i përfundon mandati më 7 dhjetor.

Drejtoria e Monitorimit shprehet dakord me zgjedhjen e një prokurori të përkohshëm, por saktëson se për zgjedhjen e tij duhet shumicë e cilësuar prej 84 votash. Për plotësimin e këtij numri votash, maxhorancës do t’i duhen edhe deputetë të tjerë veç atyre të PS-së.