Trupa e teatrit “Aleksandër Moisiu” ka nisur që nga fillimi kësaj jave provat për vënien në skenë të komedisë “Heronjtë e viagrës”, një dramatizim i romanit me të njëtin titull i shkrimtarit Bashkim Hoxha. Pas 22 dramave të vëna në skenë dhe botimit të disa romaneve të suksesshëm, shkrimtari Bashkim Hoxha vjen me një sfidë të re.

Ndryshe nga herët e tjera, kur ia ka besuar regjinë e pjesëve të tij teatrale regjizorëve të ndryshëm, këtë herë Hoxha vjen para publikut edhe në rolin e regjizorit. Siç shpjegon ai në një intervistë për gazetën “Dyrrah” ka zgjedhur ta realizojë vetë regjinë e komedisë “Heronjtë e viagrës”, pasi kërkon të sjellë me të vizionin e tij për teatrin, një konceptim disi ndryshe tendencave të sotme e që e afrojnë komedinë epike të tij me pjesët teatrale antike të vëna në skenë në amfiteatrët e lashtë grekë e romakë.

Pikërisht një ide të ngjashme ka dhe regjizori Hoxha, i cili si një nga elementët më të veçantë të kësaj komedie sheh pjesëmarrjen e korit në të. Komedia epike e Hoxhës karakterizohet nga nota të forta ironie e sarkazme. Në qendër të saj qëndron një ushtar që ka shkuar së bashku me trupat paqeruajtëse të kryejë një mision ushtarak në një nga vendet e Lindjes së mesme. Ndërsa ndodhet në vend të huaj, familjes i vjen lajmi i vdekjes së tij, i vrasjes në krye të detyrës.

Ndërkohë që të gjithë nisin ta mistifikojnë si hero dhe t’i organizojnë një ceremoni mortore të denjë për një të rënë në një mision ushtarak, në vijën e parë të luftimeve, ditën e varrimit përhapet me shpejtësi lajmi se heroi ynë “trimosh” nuk ka gjetur vdekjen gjatë një misioni, por nga konsumimi i tepruar i viagrës gjatë një akti seksual në një nga hotelet e vendit të huaj. Në këtë moment ceremonia e varrimit prishet dhe “heroin” mbetet për ta vajtuar vetëm vajza e tij.

Me këtë komedi epike Hoxha ka dashur të vërë theksin në mënyrën se si ne të gjithë i shikojmë heronjtë dhe historinë, pasi nga heronjtë thotë autori varet dhe fati i një vendi. “Nëse të gjithë ne i përfytyrojmë heronjtë trima e me jataganë në dorë, shpeshherë harrojmë ata njerëz që jetojnë jetën e tyre në mënyrë të qetë e dinjitoze. Përgjithësisht ne kemi një vështrim butaforik mbi heronjtë gjë që është objekt i ironisë që përshkon këtë komedi”,- thotë regjizori

 

Me këtë komedi epike Hoxha ka dashur të vërë theksin në mënyrën se si ne të gjithë i shikojmë heronjtë dhe historinë, pasi nga heronjtë thotë autori varet dhe fati i një vendi. “Nëse të gjithë ne i përfytyrojmë heronjtë trima e me jataganë në dorë, shpeshherë harrojmë ata njerëz që jetojnë jetën e tyre në mënyrë të qetë e dinjitoze. Përgjithësisht ne kemi një vështrim butaforik mbi heronjtë gjë që është objekt i ironisë që përshkon këtë komedi”,- thotë regjizori

“Kjo pjesë,- vazhdon ai,- është në vazhdën e teatrit të ritualit edhe pse me një këndvështrim bashkohor. Dhe ky ritual ka të bëjë pikërisht me mënyrën se si ne glorifikojmë ose demistifikojmë heroin apo heronjtë thjesht për nevojat tona utilitare, për interesat e ngushta personale. Në rolet kryesore të kësaj komedie janë aktorët Hysen Bashhysa, Ervin Doko, Eva Çaushi, Adriana Tolka, Xhejni Fama, Gjergj Doçi, Besmir Bitraku etj.

Ndërkohë krahas aktorëve që lëvizin në skenë, një vend të rëndësishëm do të zënë të rinjtë që do të jenë pjesë e korit, pasi komedia ashtu si pjesët teatrale antike do të ketë katër kore. Ndërsa pjesa më e madhe e grupit të aktorëve përbëhet sërish nga aktorë të  rinj, regjizori ia ka besuar rolin kryesor aktorit të mirënjohur durrsak, Hysen Bashhysa, eksperienca e të cilit gjatë vieteve të tëra në skenë do të jetë mbështetja kryesore për Hoxhën për realizimin me sukses të pjesës.

Premiera e kësaj komedie pritet të vihet në skenë në mesin e muajit maj. Me këtë komedi epike Hoxha kërkon të marrë pjesë në festivalin mbarëkombëtar të dramës shqipe që këtë vit me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë do të zhvillohet për herë të parë në Tiranë. Në edicionin e fundit të këtij festivali të organizuar në qytetin e Gjilanit trupa teatrore e Durrësit u përfaqësua me komedinë “Dashuri e dytë në moshë të tretë” e regjizorit Haxhi Rama, i cili së bashku me aktorin e ri Ervin Doko u nderuan me çmime.

Ndërkohë përgjatë gjithë muajit prill, në fundjavë artdashësit do të mund të argëtohen me humorin e hollë dhe situatat komike e plot të papritura të komedisë “Stjuardesat”, vënë në skenë nga regjizorja Driada Dervishi.