Teatri “Aleksandër Moisiu” ka nisur provat për premierën e re, që pritet të vijë për publikun durrsak në fillim të vitit të ardhshëm.
Bëhet fjalë për një dramë satirë të bazuar në romanin “15 ditë prilli”, të shkruar nga e mirënjohura Anisa Markarian.
Për regjisoren Driada Dervishi, ky është një moment historik, pasi në 71 vite jetë të teatrit të Durrësit nuk është vënë në skenë një vepër e shkruar nga një autore femër.
Me ngjarjet e vendosura në 15 ditët e fundit të jetës së regjimit komunist në Shqipëri, drama e Markarian do të tentojë të sjellë një pjesëz nga realiteti i trazuar i atyre ditëve historike.
“Libri përmban trysninë dramatike që në gjenezë, që në zanafillën e tij. Është trysnia e 15 ditëve të fundit të një regjimi, çoroditja e popullit që mbahet mes një po-je dhe një jo-je dhe një shprese, sepse nuk e di se çfarë e pret. Ju do të ndesheni me personazhe, që mundohen të rigjejnë veten ose të krijojnë një personalitet në një çoroditje totale të një popullit të tërë dhe të një sistemi të tërë”,- tha autorja e romanit në konferencën për shtyp me gazetarët.
“Jam shumë kurioze të shoh sesi është përjetuar nga Anisa ky 15 ditëshi. Jam shumë kurioze vërtet sepse duhet të ketë këtu shumë ngjarje interesante, duhet të ketë shumë situata interesante, ndonjëherë këto situata, që për ne kanë qenë tragjike, sot mund të kthehen në situata komike, sepse kanë kaluar kaq shumë vite dhe mënyra sesi i shikon dhe këndvështrimi ka ndryshuar”,– deklaroi ndër të tjera aktorja e njohur Yllka Mujo.
Me një kast prej 12 aktorësh, mes të cilëve shumë janë emra të mirënjohur, drama e Dervishit premton të jetë suksesi i radhës i jetës teatrore në Durrës.
M.B.