251 milionë lekë të reja ose rreth 2 milionë euro do të kushtojë godina e re e drejtorisë rajonale të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike në Durrës.

Punimet për shembjen e godinës së vjetër 2 katëshe të Nish-Elektrikut, pranë bustit të Azem Hajdarit, kanë nisur prej disa ditësh. Mjetet e rënda po prishin godinën e amortizuar dhe nga rrënojat e saj pritet të hedhë shtat godina e re 6 katëshe e këtij institucioni.

Punimet pritet të zgjasin rreth 1 vit e gjysëm, pasi kanë nisur në tetor 2020 dhe pritet që godina shumëkatëshe të përfundojë në prill 2022.

Financimi i projektit bëhet nga drejtoria rajonale e OSSh Durrës, ndërsa projektuesi është Erald-G shpk.

Në qytetin bregdetar tashmë janë të shumta sheshet e ndërtimit të liruara prej shembjes së pallateve të dëmtuara nga tërmeti që pritet të ngrihen nga e para në kuadër të procesit të Rindërtimit. Madje dhe disa nga shkollat kryesore të qytetit, të shpallura nga Instituti i Ndërtimit si godina të rrezikshme dhe që duhet të shemben, presin radhën për t’u shembur dhe ndërtuar nga e para.

Edhe godina e Qendrës Shëndetësore nr.1, drejtorisë së NJVKSH-së dhe Klinikës Stomatologjike Durrës, e shembur në qendër të qytetit pritet të nisë të ndërtohet vitin e ardhshëm.  

“Në vitin 2021 fillon ndërtimi  i godines së re per akomodimin e QSH1, NjVkSh dhe Klinikes stomatologjike Durres, e cila u shemb për shkak te dëmeve strukturore të shkaktuara si pasojë e tërmetit  të 26 Nëntorit, me nje vlerë totale prej 61,1 milion lekë.” – shkruhet në njoftimin e bashkisë Durrës, ku deklarohen fondet që pritet të përfitojë pushteti vendor nga projektbuxheti i qeverisë për vitin 2021.

Ajo që bie në sy është diferenca e madhe në vlerë që pritet të shpenzohet për ndërtimin e dy godinave shtetërore. Ndërtesa e re e OSSh-së do të kushtojë plot 250 milionë lekë të rinj, gati 4-fishi i asaj që pritet të shpenzohet për godinën e re shëndetësore, në krah të Poliklinikës së Specialiteteve në Durrës.