Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kanë marrë mesazhet nga nivelet e larta politike dhe diplomatike të Bashkimit Evropian, në veçanti Gjermanisë dhe Francës, për t’iu qasur seriozisht arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht obliguese ndërmjet dy vendeve, vlerësojnë njohësit e proceseve politike, në Kosovë dhe Serbi, Agon Maliqi dhe Dushan Janjiq.

Sipas tyre, këtë e dëshmojnë edhe deklaratat e ditëve të fundit të Kurtit dhe Vuçiqit lidhur me nismën franko-gjermane, e cila në mediat në Kosovë dhe rajon është përshkruar si dokument-propozim që përmban kornizën e re, mbi të cilën do të bisedohet për arritjen e marrëveshjes që do të zgjidhë kontestin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ky dokument-propozim, siç komentojnë ata, Kurtit dhe Vuçiqit u ka arritur përmes këshilltarëve Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emanuel Macron.

Ambasada e Gjermanisë dhe ajo e Francës në Kosovë, nuk kanë konfirmuar nëse nga ana e vendeve të tyre ka një iniciativë apo dokument-propozim, që mund të jetë kornizë e re e dialogut Kosovë-Serbi për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese, e cila do të zgjidhte kontestin ndërmjet dy vendeve.

Propozimi franko-gjerman “udhëzues dhe sugjerues”

Njohësi i proceseve politike, Agon Maliqi, bashkëthemelues i blogut “Sbunker”, thotë për Radion Evropa e Lirë se deklaratat e Kurtit dhe Vuçiqit, drejtpërdrejt apo tërthorazi, konfirmojnë se ekziston propozimi francezo-gjerman.

Por, sipas tij, ky propozim nuk duket të jetë i detajuar krejtësisht, por jep një kornizë të përafërt të asaj që është e mundshme.