Nga Gëzim KABASHI

Një nxënëse e shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës është fituese e edicionit të dytë të “Festivalit të Napolit në Shqipëri”, që u zhvillua  në qytetin bregdetar.

16-vjeçarja Xhaneta Nelaj u shpall fituese pas konkursit-spektakël mes tetë konkurentëve, kryesisht student dhe nxënës shqiptarë dhe italianë me banim në vendin tonë.

Dhjetra artdashës të këngës napoletane ndoqën konkurimin e drejtuar nga aktori Gjergj Doçi, që zhvillohet për herë të dytë në Durrës dhe që u organizua në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Juria e drejtuar nga Ermir Dizdari vlerësoi me çmimin e parë nxënësen këngëtare Xhaneta Nelaj e cila u paraqit me kengen  “Voce note”.

Dy këngëtaret italiane Imma D’inverno dhe Enrica La Femmina, të cilat fituan edicionin e gjashtë të këtij festivali që u zhvillua në Napoli përshëndetën pjesmarrësit në konkurim.

Bashkë me to shikuesit duartokitën edhe këngëtarët e ftuar Luljeta Strefi dhe Alban Kamenica.

Shoqata “New Umor Sound” me selinë Durrës ka fituar të drejtën e pjesmarrjes si e ftuar ne festivalin e njohur që zhvillohet në Napoli. Një nga drejtuesit e kësaj shoqate, Giuseppe Palumbo tha se vitin e kaluar në Napoli u paraqitën këngëtarët fitues të edicionit të parë Enea Cerashi  dhe Fatma Mema.

Shoqata ka organizuar koncerte të artistëve italianë në teatrin “Moisiu” si dhe në amfiteatrin antic të qytetit, si dhe disa work shope me muzikantë të njohur napoletanë.