Mbase ende nuk është bërë për medalje dhe dekorata. Mosha e re nuk i dikton as të ketë ofiqe, normalisht të ligjshme për një intelektual me përvojë. Por angazhimi i tij në këto momente të jetës, me ngacmoi dhe nuk më lë të qetë të mos ia bëjë prezent edhe lexuesit të Dyrrah-ut. Quhet Adrian Dedja. Datëlindja 13 prill 1984.

Ka pak më shumë se 5 muaj që i është larguar të 28 viteve, por me një përkushtim të jashtëzakonshëm për punën dhe profesionin e tij. Është pozicionuar dukshëm në atë që zgjodhi të bëjë në jetë dhe jeton gjithnjë me bindjen dhe optimizmin se vetëm me punë do të realizojë atë që ia do zemra. Kur e kam takuar tek Tropikali i Agim Bulkut, ky Adrian Dedja sapo kishte mbaruar studimet në Akademinë Fizike dhe Sporteve “Vojo Kushi” në Tiranë. Studimet e kryera i trajtohen edhe si master shkencor i nivelit të dytë.

Atë kohë Bulku e kishte zgjedhur si me dorë specialistin e ri dhe e ftoi të punonte me futbollistët e moshave. Rigoroz por i afrueshëm me fëmijët, kërkues por i respektuar nga futbollistët, në thellim të aftësive dhe vlerave profesionale këtij specialisti të futbollit filloi t’i dëgjohej zëri. Kam shkruar mjaft për lagjen e famshme durrsake të Sefer Efendiut. Kam thënë edhe këtë tjetrën që është një zonë e thekur sportive për Durrësin. Një “gjethe” e kurorës së lavdisë së djemve të kësaj lagjeje si Panajot Pano, Rruf Kazazi, Abdulla Duma, Fatos Muça, Shazivar Gruda, Bernardina Qerraxhia, Sabri e Shaqir Kapexhiu kërkon të jetë edhe Adrian Dedja.

I ati Edmondi, një punonjës i thekur i Fllotës, që preku të gjithë detet e botës me anijet transoqeanike shqiptare, krejt papritur ndahet nga jeta duke e lënë Adrianin në vitin e 20-të të jetës.

“E doja ta kisha babanë afër dhe më nevojitej më shumë se kurrë të më këshillonte dhe të më përpunonte me rregullat e rrepta të jetës. Edhe gjyshi, intelektuali i njohur Sul Deda, nuk jetonte. Mbeta vetëm me nënë Zyranë dhe vëlla Suelin. Por bindja për t’i bërë ballë jetës dhe dëshira për t’u kthyer në shtyllë të shtëpisë duke iu bërë krah nënës, më nxiti të përfundoja studimet dhe t’i përkushtohesha me një vullnet të pazakontë kërkesave të punës”.

Fillimisht kështu filluam të komunikonim me Adrianin, kur këmbëngula që duhet të shkruaja diçka për të, qoftë edhe në formatin e një faqeje gazete. Ajo çka dija, më nxiti mundësinë që të shkruaja dhe të tregoja mbi këtë përkushtim të Adrianit.

Trajneri i futbollit

Si çdo i ri edhe Adrian Dedja vraponte pas topit të futbollit dhe dëshironte të bëhej sportist i njohur i topkëmbës. Por jo çdo njeri bëhej i tillë dhe kjo nuk e tuti. I hyri me vullnet studimeve të larta për sport dhe i mbaroi me rezultate të shkëlqyera.

“Pamundësinë për t’u bërë futbollist i zoti, nuk e tolerova tek ushtrimi i disa kërkesave të profesionit që preferova të zgjedh në jetë. Nga futbolli nuk doja të ndahesha. Po kështu edhe nga të qënurit mësues i edukimit fizik. Pranë fëmijëve në sport, por edhe në shkollë. Nuk kishte më mirë, se sa të kombinoheshin njëherazi të dy këto versione. Ndodhi që Agim Bulku më bëri ofertë i pari. E falënderoj këtë njeri të mirë dhe profesionist të zotin, pasi Tropikal është shoqata e parë e futbollit në Shqipëri dhe kushtet didaktike stërvitore ishin të mrekullueshme”,- thotë Adriani.

Në sukseset e Tropikalit dihej që jepte ndihmesën e tij edhe një specialist i ri, i sapodiplomuar, që quhej Adrian Dedja. As nuk i shkonte ndërmend, se puna e ushtruar matej thjesht me të ardhura financiare. U bë frekuentues i rregullt i internetit. Punonte me orë të tëra për t’u njohur me arritjet më të mira të futbollit të moshave. Bashkëpunonte me kolegët më të rritur, deri me specialistë të mirëfilltë dhe të mirënjohur të futbollit shqiptar. Ngarkesën e punës ia shtonte vetes.

Dhe çdo ditë në proçesin stërvitor, fëmijët e ndjenin se shtohej një element i ri. Koha kalonte shpejt dhe ato dëshironin të mos largoheshin nga stërvitja. Agim Bulkun nuk e gënjente intuita, për të dhënë vlerësime për djaloshin Adrian Dedja që po rritej së bashku me futbollin. Dhe fëmijët kanë qarë kur mësuan se “profesor” Ardiani do të largohej prej tyre, pasi i nxorri kampion të turneut ndërkombëtar Belvi 2006 organizuar në Ulqin të Malit të Zi. Po përsëri pranë futbollit.

Sfidat e jetës sapo kishin filluar dhe Adriani duhet të testonte edhe më tej vlerat e tij. Krijoi ekipin “Ajsberg” dhe fitoi titullin kampion për 12 vjeçarët në muajt që i takonin vitit 2010.

Mjaft herët përcaktoi binomin bazë që të çon tek suksesi: Puna dhe disiplina. “Dhe këto nuk do të më ndahen për tërë jetën. Për mua nuk ka kthim mbrapa. Pranë fëmijëve e ndjej veten gjithnjë të freskët. Ata më duan dhe unë i dua shumë. Komunikoj vazhdimisht edhe me prindërit e tyre. Më vjen mirë që kërkesat për të ardhur tek ekipi më i ri që kam ndërtuar pak muaj më parë i quajtur Olimpik i Durrësit, janë në rritje duke më krijuar një ngarkesë pune të jashtëzakonshme.”

Me vullnet dhe pasion përfundoi kursin e organizuar nga UEFA dhe mori liçencën B. Njëherazi fitoi të drejtën të ushtrojë edhe përgatitësin atletik. Prej një viti i është “qepur” doktoraturës dhe pas pak pritet të marrë titullin Doktor i Shkencave. Ka në plan të sulmojë edhe liçencën A të UEFA-s, që krahas të drejtës për të drejtuar ekipet e superligës, të mundësojë edhe angazhimet në klube të huaja europiane. Mbase që këtë sezon Olimpiku i tij për moshat 8-12 vjeç dhe 14 vjeçare mund të dalë kampion i zonës numër 3.

Mësuesi i edukimit fizik

Pista e dytë që më nxiti të shkruaj për Adrianin është edhe ajo e mësuesit të edukimit fizik, apo siç njihet masivisht mësues i fiskulturës. Fillimisht u emërua në shkollën 9-të vjeçare “Eftali Koçi”. 

Një trajner i adhuruar nga lojtarët e tij, një mësues i edukimit fizik me mjaft vullnet dhe dëshirë për të bërë sa më mirë detyrën e tij si dhe një autodidakt i përpiktë që me punë këmbëngulëse dhe vullnet i është “qepur” doktoraturës dhe liçencës A të UEFA-s, Adrian Dedja është një shembull tipik i të rinjve të apasionuar me gjithë shpirt pas sportit

“Kur fillova mësimin, vura re që nxënësit kishin një bazë materiale të pamjaftueshme dhe ajo që më trishtoi ishte mungesa e topave. Me një top luante e gjithë shkolla. Të nesërmen e ditës së parë të ushtrimit të detyrës, shkova në shkollë me një “thes” me topa. Me të ardhurat e mia modeste financiare, u bleva nxënësve topa dhe kënaqesha kur ato gëzonin dhe vraponin pas sferës. Natyrisht edhe orët e mësimit filluan të bëheshin edhe më tërheqëse dhe nxënësit pëlqenin gjithçka që u servirej”,- thotë Dedja.

Ashtu si edhe në detyrën e trajnerit të futbollit, emri i tij si mësues fiskulture u përhap me shpejtësi në komunitetin e arsimtarëve. Kujtoj që në verë, drejtori i shkollës së mesme sportive “Bernardina Qerraxhia” Kristo Sotiri, më foli me superlativa për Adrianin dhe i bëri ofertën të merret me futbollin në këtë shkollë, për të aftësuar jo vetëm nxënës të zellshëm, por edhe futbollistë cilësorë Shkolla e fiskulturës është kombëtare dhe elementët vijnë nga i gjithë vendi.

Por Adriani kishte të tjera plane. Angazhimi në këtë shkollë do t’i merrte tërë kohën dhe nuk do ta linte të qetë në një ndërmarrje të rëndësishme private. Gjithnjë e lidhur me idenë dhe bindjen, pranë sportit, pranë njerëzve por me forma dhe mundësi të tjera. Emërohet këtë vit në shkollën 9-të vjeçare “Nënë Tereza” dhe që në ditën e parë të hapjes të vitit të ri shkollor surpriza erdhi e bukur, befasuese dhe mbresëlënëse. 

Ekipe të përziera vajzash dhe djemsh të moshës 6 dhe 10-12 vjeçare zhvilluan ndeshje futbolli. Ajo që surprizoi nuk ishte nxitja e një tradite inkurajuese, as edhe se u luajtën dy takime futbolli moshash. Të pranishmit u kënaqën dhe shprehën mirënjohjen dhe falenderimet për organizime të tilla plot kulturë e profesionalizëm, duke nxitur më tej vëmendjen e 28 vjeçarit Dedja dhe bashkëpunëtorëve të tij, për hapa të tjerë në të ardhmen.

Palestra private

Treguam deri tani për Adrian Dedjen, angazhimet si trajner futbolli dhe mësues i fiskulturës. Por inisiativa e tij më e fundit është sipërmarrja në një palestër fitnesi, të cilën synon ta kthejë në një nga qendrat stërvitore më të spikatura në Durrës. Megjithëse një aktivitet i ri palestra ka nisur të frekuentohet nga shumë klientë të rregullt duke nisur nga 14-16 vjeçarët deri tek mosha e tretë, që janë klientë të rregullt e të përditshëm të saj.

Aty bëhen matjet atroprometrike të trupit duke përcaktuar nivelin dhe mënyrën specifike të ushtrimeve sipas anës fizike të ushtruesve. Ekziston edhe një pajisje e veçantë dhe profesionale që përcakton densitetin kockor, nivelin e dhjamit në trup, përqindjen e yndyrës, masën muskulore etj. Në bazë të testeve shkencore të përcaktuara për çdo njeri, ndërtohet nga Dedja programi i ngarkesës së personalizuar. Rezultatet janë befasuese për të mos i përkufizuar si të shkëlqyera.

Adrian Dedja duke punuar intensivisht boton edhe një fletë palosje me ngjyra ku informon opinionin e gjerë mbi obezitetin, mënyrën se si duhet të ushqehet, jetën aktive që duhet praktikuar etj. Gjatë bisedës momenti më kulmor ishte kur Adrian Dedja na tha se të shtunën (me 22 shtator) duhej të ndodhet në Itali. Arsyeja? Një shkencëtar italian me banim në Bari sapo ka botuar një libër voluminoz mbi shkencat motorike.

Dedja është në një audiencë me të për të shkëmbyer mendime dhe ide të reja, për t’i materializuar në punën  e tij në tërësi, por në veçanti tek palestra e tij private. Përvoja e deritanishme e Adrianit është tregues i qartë i vullnetit të pamasë të intelektualëve të rinj durrsakë për të bërë më të mirën e tyre në shërbim të komunitetit që i lindi dhe edukoi. Dhe na vjen mirë që në këtë material servirim rastin më bindës me emrin Adrian Dedja.