Gugash Magani po vijon përgatitjet në Itali me futbollistët që ka në dispozicion, megjithatë “sytë” vazhdon t’i ketë te drejtuesit.Ai pret që klubi plotësojë kërkesat që ka për merkaton e sezonin e ri. Pritet që skuadrës t’i bashkohen dy lojtarë cilësorë për provë. Emrat nuk bëhet të ditur, por mësohet se të dy janë sulmues, me kombësi afrikane dhe portugeze. Sezonin e kaluar Teuta vuajti shumë në sulm, ndaj edhe numri një i stolit ka kërkuar për këtë repart të ketë afrime jo vetëm me bollëk, por mbi të gjitha cilësore.Teuta e sezonit të ri do të jetë ndryshe jo vetëm në fushë, por edhe në zyra. Sikundër edhe është bërë publike, Enid Furxhi do të jetë drejtori i ri i akademisë së durrsakëve.

Ky i fundit duhet të prezantohej por gjithçka është shtyrë për sot, pasi mungonte një nga aksionerët e klubit.Në kësi kushtesh, Furxhi u prezantua ditën e sotme për mediat. Lajmin e konfirmon administratori Erjon Jakova, i cili shkurtimisht tha:“Drejtori i ri u prezantua sot për shkak se një nga aksionerët nuk pati mundësi të ishte prezent. Enid Furxhi e njeh mjaft mirë ambientin dhe me eksperiencën që ka, do të japë maksimumin për ta dërguar një nivel tjetër akademinë e Teutës”. Furrxhi do të jetë numri një i akademisë së durrsakëve dhe do të ketë dorë të lirë. Ai me miratimin e drejtuseve do të vendosë  politikat e akademisë Teuta.   Jo vetëm kaq por dhe vendosjen e trajnerëve për grupmoshat. Për momentin nuk ka lëvizie por në vijim do të ketë dhe ndryshime, gjithsesi trajnerët aktualë janë në krye të detyrës në ekipet që drejtojnë.  Kështu ekipi durrësak po funksionon si një shoqëri aksionere. Drejtuesit nuk po bëjnë  ndryshime vetëm në skuadër por dhe në infrastukturë. Stadiumi po pëson ndryshime  duke filluar nga dhomat e zhveshjes, shkallët e stadiumit si dhe tribuna.  Risia do të jetë tribuna vip, do të ndërtohen disa dhoma të posacme për të ftuar që nuk duan të ndjekin ndeshjen në prani të tjerëve.