Me stilin e tij atipik, shumë ndryshe nga ai i një agjenti imobiliar me të cilin jemi mësuar zakonisht, Aleksi tërheq jo pak vëmendjen.
Rastat në flokë i përngjajnë një kaktusi, një element ky që ngjallte shumë humor, por që dalëngadalë i dha emrin agjencisë së tij imobiliare, e hapur në qendër të Durrësit.
“Unë jo agjent imobiliar standart. Shumë njerëz bëjnë shaka me flokët, i quajnë kaktus. Njerëzit bëjnë shumë shaka në Durrës”,- thotë ai me një shqipe jo perfekte, por të kuptueshme.
Aliaksandr Kavaleuski para 3 vitesh la atdheun e tij, Bjellorusinë, për t’u shpërngulur familjarisht në Durrës.
Iku prej diktaturës së Lukashenkos siç thotë ai, ndërsa nisi biznesin në qytetin bregdetar, ku ka shitur jo pak apartamente.
“Rreth 200 blerës kam pasur në Shqipëri. Në fillim në Durrës e më pas plus plus plus të tjerë. Shumë njerëz duan të jetojnë këtu. edhe në qytete si Vlora dhe Saranda”,– tregon ai për “DurrësLajm”.
Janë shqiptarët apo të huajt, klientët e Aleksit?
“Unë punoj më shumë me klientë nga Ukraina, Bjellorusia, Rusia etj. Më pak me polakët apo çekët dhe shumë më pak me italianë”,- thotë Aleksi.
Ai tregon dhe arsyet pse Shqipëria është kaq tërheqëse në sytë e të huajve, të interesuar për pasuri të paluajtshme, veçanërisht në zonat bregdetare.
“Klima është shumë e mirë, por edhe çmimi i shitjes së apartamenteve”.
Në rreth 2 vite që operon në tregun imobiliar shqiptar, Aleksi vë re një ndryshim të rëndësishëm që lidhet drejtpërsëdrejti me kërkesat e klientelës së tij.
“Kur startova punën çmimi ishte shumë i leverdisshëm, ndërsa tani jo më. Eshtë pak gabim situata. Çmimi është shumë i madh (i lartë). Në Itali dhe Shqipëri një çmim kanë tani apartamentet. Madje dhe me Spanjën. Eshtë pak gabim situata tani, po ndoshta rregullohet më vonë”,- deklaron Kavaleuski.
I përshtatur më së miri me jetën në Shqipëri, Aleksi po mëson gjuhën, po ndjek edhe trajnime si agjent imobiliar dhe njëkohësisht edhe fakultetin e biznesit, Aleksi së bashku me bashkëshorten dhe djalin jetojnë në një apartament në zonën e plazhit.
Pak javë më parë shtëpia e tij u përfshi nga flakët dhe pësoi dëme të konsiderueshme, por kjo nuk e ka dekurajuar.
Madje ai ndihet më shqiptar se kurrë dhe po ashtu dhe familja e tij.
“Zemra ime është në Shqipëri tani. Djali im ndjek klasën e dytë dhe është i pari i klasës. Djali është djalë shqiptar tani”,- thotë ai duke buzëqeshur ndërsa vijon: “Keni tani festën e flamurit, djali im tund flamurin shqiptar”
Vitet e fundit në Durrës, por edhe qytete të tjera të vendit kanë qenë të shumtë shtetasit nga Ukraina dhe Bjellorusia janë shpërngulur në vendin tonë për shkak të luftës dhe situatës së trazuar politike në atdheun e tyre.
M.B.