8 nëntor 2015 – Dy janë anijet, që dyshohet se mund të kenë hedhur disa tonelata të vajit të djegur të motorëve në bregdetin e Durrësit.
Sipas ABC News, kapitaneria e Portit të Durrësit ka njoftuar Policinë e Shtetit se nga verifikimi i lëvizjeve të anijeve në ujërat shqiptare kanë identifikuar dy anije të dyshimta, një italiane dhe një malazeze. Anija italiane transportonte hidrokarbure ndërsa tjetra që është ankoruar në portin e Malit të Zi, transportonte mallra të ndryshme.
Burimet thonë për ABC News se për të dy këto anije, është kërkuar nga portet përkatëse të verifikojnë depozitat e vajit të djegur të motorëve, për të parë nëse janë të boshatisura.
Hetuesit dyshojnë se njëra prej këtyre dy anijeve, mund të ketë derdhur në ujërat shqiptare, disa milje larg bregut, tonelata të vajit të djegur të motorëve. Për të saktësuar vendin dhe kohën e derdhjes, mësohet se prokuroria e Durrësit ka kërkuar ekspertë të flotës detare të ushtrisë dhe kapitanerisë së Durrësit për të specifikuar sasinë e mundshme të derdhjes, vendin dhe kohën që i është dashur solucionit të hedhur në det të mbërrijë në bregun e plazhit të Durrësit.
Prokuroria ka nisur hetimin e çështjes dhe janë ngritur dy pista hetimore:
Ajo e derdhjes me qëllim ndotjen e ujërave shqiptare dhe pista e dytë, për të evituar detyrimet financiare që anijet bëjnë në çdo port kur shkarkojnë në depozitat portale, vajin e djegur të motorëve.
Hetimet për ngjarjen në fjalë, janë regjistruar për akuzën e “ndotjes së ujërave” dhe nëse arrihet të provohet e identifikohet personi apo kompania që ka kryer këtë derdhje, sipas legjislacionit shqiptar rrezikon një dënim nga 5 deri 10 vjet burg.
/portali DurresLajm/





