Artisten e re Maria-Rosa S. e takuam paraditen e kësaj të hëne në plazhin e Durrësit. Mund të quhet me plot gojën artiste e botës, pasi punimet e saj murale i gjen në Kanada, Australi, Itali etj. Në vendin tonë erdhi fillimisht për të realizuar dy murale në dy pika doganore.

“Jam me origjinë polake, por jam rritur në pjesën franceze të Kanadasë. Merrem me murale, të cilat i bëj me dimensione të mëdha. Në Shqipëri kam ardhur verën e vitit 2024, për të realizuar projekte me qeverinë tuaj. Pikturova në doganën e Kapshticës dhe atë të Qafë Thanës.”

Qëndrimi në vendin tonë e bëri të binte në dashuri me vendin e shqiponjave dhe për të jetuar zgjodhi pikërisht Durrësin.

“Zgjodha të jetoj në Durrës, sepse më pëlqen shumë plazhi. Qyteti është shumë i bukur, ka energji shumë të mirë. Shqipëria më pëlqen sepse është vend i bukur dhe interesant për të jetuar. Por edhe për të pikturuar, sepse ju keni murale, por jo aq sa duhet.”

Pas disa ditësh, ajo do të lërë vulën e punimeve të saj në qytetin tonë. Së bashku me artistë të tjerë, Maria do të jetë pjesë e eventit kulturor “Seaside art 2026”, që do të bëjë bashkë artistë shqiptarë dhe të huaj, të cilët për disa ditë me radhë do të realizojnë punimet e tyre, pas ftesës së marrë nga Inceptio Studio dhe arkitekti Indrit Hamiti.

“Në Durrës nuk kam pikturuar ende një murale, por do të nis këtë fundjavë.  Do të bëhet një event, në një rezidencë artistësh, ku piktorë të tjerë do të realizojnë tablo, ndërsa unë do të bëj një murale pranë hotelit Sea side. Artistët do të pikturojnë peisazhe, ndërsa unë do të realizojnë një murale për klimën. Durrësi dhe plazhi janë vende me mjaft diell dhe kam menduar të bëj murale edhe këtu, si psh me kafshët e detit, ose natyrën. Por së pari do të bëj projektin që ju thashë dhe më pas mund të nis bisedimet me autoritetet për këto murale”.

Nisur nga projektet që ka, qëndrimi i artistes Maria-Rosa S. në vendin tonë duket se nuk do të jetë i shkurtër. Sipas saj, Shqipëria turistike, duhet të nisë të ofrojë përveç trashëgimisë kulturore, natyrës së bukur, kulinarisë etj edhe murale të realizuara me mjeshtëri, të cilat mund të kthehen në shtigje kulturore të preferuara nga vizitorët e huaj.

M.B.